
Artan Tafani ka rrëfyer në seancën gjyqësore në GJKKO se kishte marrë një shtëpi me qira në Lushnje me qëllim për të ndjekur dhe më pas për të vrarë avokatin Adriatik Guri, me urdhër të Laert Haxhisë.
Sipas dëshmisë, Tafani ka pranuar se ai kishte nisur të ruante avokatin, pavarësisht se ishte kushëri me të. "E ruaja unë avokatin, ndonëse e kam kushëri. Laerti donte ta vriste sepse sipas tij, ai ndihmonte hasmin e tij,” tha Tafani para gjykatës.
Sipas Tafanit, atentati ishte në fazën përfundimtare, por ndërhyrja e një komshiu dhe më pas urdhri i tërheqjes nga Greqia shpëtoi jetën e avokatit.
“Lulzimi ishte gati ta qëllonte, po prisnim te hyrja e pallatit ku banonte avokati. Në një moment, një komshi e pa dhe e pyeti: ‘Çfarë po bën?’. Aty u tërhoqëm. Fati i avokatit ishte që e shpëtoi Zoti,” – dëshmoi Tafani.
Sipas tij, pas kësaj ngjarjeje, Laerti – i cili udhëhiqte grupin dhe që ndodhej në Greqi – dha urdhër që atentati të mos realizohej. “Na tha: ‘Nuk do ta bëjmë më avokatin’,” – vijoi Tafani, duke treguar se urdhrat vinin nga jashtë Shqipërisë, ndërsa grupi lëvizte në terren.
Avokati, që sipas Tafanit ishte edhe kushëri i tij, ishte shënjestruar për shkak të një konflikti me Laertin, i cili dyshonte se Guri ndihmonte një prej armiqve të tij. Versus.al







