AKTUALITET /

Lidhja e Igli Kamberit me priftin polak, SPAK nis letërporosi me 7 pika në Poloni për verifikimin e 680 mijë eurove të sjella në Lezhë në emër të tij

Emri i tij ndodhet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme SPAK, lidhur me një dërgesë financiare prej 680 mijë euro.

Shkruar nga Versus

Lidhja e Igli Kamberit me priftin polak, SPAK nis letërporosi me 7 pika

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka nisur një letërporosi në drejtim të autoriteteve polake, duke kërkuar verifikimin e hollësishëm të priftit, diakon Jacek Roman Bogacz.

Emri i tij ndodhet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme SPAK, lidhur me një dërgesë financiare prej 680 mijë euro.

Letërporosia konsiston në 7 pika kryesore, ku autoritetet e Prokurorisë shqiptare kërkojnë ndihmën e ndërsjellë te drejtësia polake, me qëllim kryerjen e disa veprimeve hetimore për futjen në “skaner” të priftit, At Diakon Jacek Roman Bogacz.

Kërkesa për shtrirjen e hetimeve në Poloni vjen në një kohë kur, sipas njërit prej të arrestuarve, Lefter Nelaj, sasia prej 680 mijë euro rridhte nga bamirësitë në Itali dhe i është dhënë nga një prift polak, me qëllim për ta sjellë në qytetin e Lezhës, tek shoqata “Calatrava”.

Por sipas SPAK, deklarimet e të arrestuarit Lefter Nelaj rezultojnë në kundërshtim të hapur me provat dhe faktet e administruara në kuadër të këtij procedimi penal.

Mohimi prej tij i dijenisë mbi personat, Ergys Kastrati, Igli Kamberi apo Bardhok Gjergji, itinerarin apo qëllimin e transportit, rrëzohet nga të dhënat telefonike, komunikimet e nxjerra nga telefonat e sekuestruar, si dhe nga dinamika e dokumentuar e lëvizjeve në Itali.

Këto kundërshti nuk mund të konsiderohen si pasaktësi të rastësishme, por përbëjnë tregues të qartë të përpjekjes së tij për të fshehur rolin real dhe për të shmangur përgjegjësinë penale të pronarëve të shumës monetare të sekuestruar.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, një letërporosi është dërguar tashmë në Poloni, duke kërkuar verifikime në 7 drejtime të priftit, At Diakon Jacek Roman Bogacz.

Prokuroria shqiptare në pikën nr. 1 të letërporosisë u kërkon informacion autoriteteve polake nëse Famullia e Shpirtit të Shenjtë të Kishës së Ritit të Vjetër Katolik është e regjistruar në regjistrin e kishave dhe institucioneve të tjera.

Kjo famulli ndodhet në rrugën “Słoëackiego” 12 A, 78-300, Śëinoujście, prefektura Zachodniopomorskie, Poloni, me famulltar priftin, diakon Jacek Roman Bogacz.

Gjithashtu, në pikën nr. 2 kërkohet të jepet informacion nëse Famullia e Shpirtit të Shenjtë të Kishës së Ritit të Vjetër Katolik ka pasuri të luajtshme, pasuri të paluajtshme, llogari bankare apo aktivitete tregtare në Republikën e Polonisë që mundësojnë dhurimin e vlerës monetare prej 680.595 euro.

Në pikën nr. 3 të letërporosisë së Prokurorisë shqiptare kërkohet të jepet informacion nëse Famullia e Shpirtit të Shenjtë të Kishës së Ritit të Vjetër Katolik ka deklaruar në institucionet e shtetit të Polonisë dhurimin e vlerës monetare prej 680.595 euro delegacionit të Vjetër Katolik “Calatrava” në Lezhë, Shqipëri.

Në pikën nr. 4 kërkohet të jepet informacion se cila duhet të ishte procedura ligjore sipas legjislacionit të shtetit të Polonisë për dhurimin e vlerave monetare nga Famullia e Shpirtit të Shenjtë të Kishës së Ritit të Vjetër Katolik.

Po ashtu, në pikën nr. 5 kërkohet të jepet informacion nëse Jacek Roman Bogacz është hetuar apo dënuar penalisht për ndonjë vepër penale në Republikën e Polonisë.

Ndërkohë, në pikën nr. 6 kërkohet të jepet informacion nëse Lefter Nelaj disponon leje qëndrimi në shtetin e Polonisë.

Dhe në pikën nr. 7 të letërporosisë kërkohet të jepet informacion nëse Lefter Nelaj ka hyrë ndonjëherë në territorin e Republikës së Polonisë. (syri.net)

Poll