
Eris Mehmetaj, i arrestuari mbrëmjen e martës nën dyshimin se ka ndihmuar autorin e vrasjes së Renato Hoxhajt në Vlorë, është lënë në burg nga gjykata.
Para trupës gjykuese ku iu konfirmua masa e sigurisë “arrest me burg”, Mehmetaj mohoi lidhjen e tij me krimin duke thënë se automjetin e tij ia kishte dhënë një miku që ia kishte kërkuar.
“Nuk kam asnjë lidhje me krimin. Makinën ia lashë në përdorim një miku që ma kërkoi. Nuk e di për çfarë e ka përdorur”- tha i dyshuari në gjykatën e Vlorës.
Raportohet se celulari i të arrestuarit është çmontuar. Mehmetaj rezulton që të ketë qenë mik i Roan Brahimit, të riut që u ekzekutua me breshëri arme në Athinë më 6 maj të 2024-ës.
Nga ana tjetër, viktima Renato Hoxhaj i cili u ekzekutua më 27 prill në hyrje të pallatit ku punonte si roje, dyshohet se mund të ketë qenë informator i grupeve kriminale. Ende nuk është zbardhur identiteti i personit që kreu krimin. Pamjet e siguruara nga kamerat tregojnë një person me kapele dhe maskë medicinale teksa largohet pasi kishte kryer ekzekutimin. Versus.al








