
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka zhvilluar një deklaratë për shtyp me institucionet kyçe të drejtëisë, me kreun e Prokurorisë së Përgjitshme Olsian Çela dhe kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin.
Ministri Manja u shpreh se këto rekomandime janë hartuar mbi bazën e një analize të thelluar në vend, në kuadër të procesit të integrimit të vendit në BE. Disa prej rekomandimeve kyçe të Manjës ishin shmangia e vonesave në hetime, forcimi i luftës kundër kriminalitetit, forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe lufta ndaj krimit kibernetik.
“Rekomandimet janë hartuar mbi bazën e një analizë të thelluar të situatës kriminale në vend, të dhënave statistikore të raportuara nga vetë organi i Prokurorisë dhe veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit të vendit në BE-së.
Kërkohet respektimi i parimit të prezumimit të pafajësisë, shmangia e vonesave në hetime dhe përdorimi proporcional i masave të sigurimit. Institucionet e drejtësisë orientohen të promovojnë procedurat e posaçme, veçanërisht për të miturit. Së dyti, forcimi i luftës kundër kriminalitetit, rritje e hetimeve të nisura dhe ndjekje penale për korrupsionin, veçanërisht të niveleve të larta. Të forcohet bashkëpunimi ndërkombëtar e po ashtu lufta ndaj krimit kibernetik.
Integriteti, transparenca dhe konkurrueshmëria. Mbrojtja e të dhënave personale dhe respektimi i sekretit hetimor. Investim në teknologji e burime njerëzore. Trajnim për antikorrupsion, krimin e organizuar dhe krimet kibernetike, të jenë prioritet kombëtar. Qeveria do e mbështesë financiarisht.
Nga ana tjetër, kreu i SPAK-ut gjithashtu pati disa kritika sa i takon raporteve të bëra nga qeveria ku theksoi se disa prej rekomandimeve nuk shoqërohen me të dhëna statistikore apo analiza sasiore çka bën që procesi të duken subjektive.
“Rekomandimet po gjejnë zbatim në SPAK, por nuk shoqërohen me të dhëna statistikore. Disa rekomandime duken subjektive. Rekomandimet shpesh herë kanë fraza të përgjithshme. Rekomandimet mund të mbeten deklarative dhe jo të zbatueshme. Në tërësi, rekomandimet janë të mirëpritura, por disa rekomandime, nga mënyra sesi janë, paraqesin vështirësi sesi do gjejnë zbatim konkret”, tha Dumani.
Ndërsa Prokuroi i Përgjithshëm Olsian Çela kërkoi sigurimin e kushteve të punës për prokurorët.
“E dyta që doja ta ngrija zoti ministër është një çështje që ka të bëjë me infrastrukturën, sidomos me prokurorinë Tiranë dhe me gjykatën e këtij rrethi, është çështje urgjente. Shpresoj në vijimin e përpjekjeve për një zgjidhje, pasi cilësia në ndjekjen e hetimeve lidhet edhe me sigurimin e kushteve të punës”, tha ai
Manja sugjeroi edhe përdorimin e AI në analizën e të dhënave në hetimin e krimeve komplekse.
"Metodat bashkëkohore të hetimit, sugjerohet përdorimi i AI dhe analizës së të dhënave që janë thelbësore në hetimin e krimeve komplekse. Bashkëpunimi ndërinstitucional, duhet një strategji mes SPAK, Policisë dhe institucioneve të tjera publie, marrëveshje për shkëmbim të të dhënave, përcaktim i pikave të kontaktit. Bashkëpunim me ndërkombëtarët, për ndjekien penale të krimit të organizuar ndërkombëtar”, deklaroi Manja. Versus.al







