Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me autoritetet gjermane, ka çmontuar një grup kriminal që vepronte nga Tirana duke mashtruar shtetas gjermanë dhe duke u marrë shuma të mëdha parash.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kolegët gjermanë, prokurori i posaçëm Eneid Nakuçi dha detaje për operacionin e koduar “Pandora”.
Sipas tij, janë arrestuar pesë persona dhe tre gra janë lënë në arrest shtëpie. Grupi mashtronte qytetarë gjermanë duke u paraqitur si oficerë policie dhe duke pretenduar se do t’i ndihmonin për të rikuperuar humbjet nga investimet në kriptomonedha dhe tregun “FOREX”.
Në fakt, këta individë i mashtronin qytetarët dhe përfitonin shuma të konsiderueshme nga llogaritë e tyre bankare.
Në prill të vitit të kaluar, SPAK zhvilloi një kontroll në ambientet e një call center-i të paligjshëm në Tiranë, ku u sekuestruan prova materiale të rëndësishme.
Hetimet zbuluan se të paktën 14 shtetas gjermanë janë viktima të këtij skemi mashtruese, me një dëm ekonomik që arrin në rreth 363 mijë euro.Versus.al







