Drejtuesi i operacionit ndërkombëtar “Pandora”, Oliver Hoffmann, ndodhet në Tiranë ku ndoqi nga afër zhvillimet e aksionit të përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve gjermane kundër një grupi kriminal që kryente mashtrime përmes call center-ave.
Operacioni, i cili kishte nisur 18 muaj më parë, u cilësua nga Hoffmann si "një ditë e rëndësishme, një piketë kyçe në luftën tonë kundër krimit të organizuar ndërkombëtar."
Krah prokurorit Ened Nakuçi në ambientet e SPAK, Hoffmann dha detaje mbi hetimet e gjera që përfshinë Shqipërinë, Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, Serbinë dhe Libanin.
Ai tha se që nga dhjetori 2023 janë përgjuar rreth 20 telefonata mashtruese në ditë, ndërsa është ngritur edhe një kundërqendër në Gjermani për të shpëtuar viktimat nga skemat mashtruese.
"Falë kësaj pune, kemi parandaluar një dëm të mundshëm prej 10 milionë eurosh dhe kemi identifikuar 12 qendra telefonike ndërkombëtare që shërbenin për mashtrime. Janë dhënë tashmë edhe dënimet e para, përfshirë për organizatorët kryesorë në Gjermani," tha ai.
Sa i përket Shqipërisë, Hoffmann njoftoi se sot janë arrestuar gjashtë persona në Tiranë — pesë burra dhe një grua — në një operacion ku kanë marrë pjesë edhe oficerë gjermanë në terren.
"Ky ishte një bashkëpunim i suksesshëm mes SPAK, Policisë së Shtetit dhe autoriteteve gjermane. Qëllimi ynë nuk ishte vetëm arrestimi i individëve, por shkatërrimi i të gjithë strukturës kriminale që qëndron pas mashtrimeve," përfundoi Hoffmann./Versus.al







