POLITIKË /

Pas prokurores Gjeli, Rama akuzon një gjyqtar: Legjitimoi pallatin e konfiskuar në mes të Tiranës

Rama tha populli kërkon llogari tek qeveria për vendimet "antiligj" të marra nga drejtësia që duhet të jetë e pavarur nga ekzekutivi.

Shkruar nga Versus
Pas prokurores Gjeli, Rama akuzon një gjyqtar: Legjitimoi pallatin e
Fotomontazh: Në sfond pallati i konfiskuar dhe gjyqtari Hazbi Balliu, kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin e tij social “facebook” një foto të një pallati të konfiskuar bashkangjitur me foton e gjyqtarit Hazbi Balliu duke e akuzuar këtë të fundit për favorizimin e pronarëve të ndërtimit të paligjshëm në mes të Tiranës.

Duke e renditur edhe Balliun së bashku me prokuroren Elsa Gjeli të cilën e akuzoi për mosfillimin e hetimeve lidhur me ndërtimet pa leje në Theth, Rama shprehet se pallatin e konfiskuar që i kishte kaluar shtetit, gjyqtari Balliu e ka konsideruar pronë legjitime të ndërtuesve të paligjshëm.

Sipas kreut të qeverisë vendime të tilla, ngrejnë pikëpyetje mbi ekzistencën e institucioneve të pavarura të pushtetit gjyqësor. Ndërsa tha se për vendime të tilla, populli kërkon gjithnjë llogari tek qeveria në pushtet.

Reagimi i plotë i Ramës:

Pas prokurores Gjeli, e cila e konsideroi krimin e ndërtimit të një fshati të tërë turistik pa leje në zemër të Thethit, si një zhvillim të natyrës dhe as nuk hapi fare hetime, duke u vendosur hapur në llogoren e Antiligjit e të Antishtetit kundër interesave të Republikës së Shqipërisë, dje u shfaq në të njëjtën llogore gjykatësi Balliu, i cili një pallat të tërë pa leje të konfiskuar nga shteti në mes të Tiranë dhe të vendosur në funksion të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, e konsideroi si pronë legjitime të ndërtimtarëve të paligjshëm, duke vendosur masë sigurie në favor të tyre.

Fatkeqësisht as Gjeli as Balliu, nuk janë të vetmit prokurorë e gjykatës që po mbajnë gjallë në sistemin tonë të drejtësisë forcën e vjetër brutale të Antiligjit e të Antishtetit në dëm të interesave të shtetit, të komunitetit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, sa herë që përballë tyre gjenden subjekte të biznesit të madh.

Pyetja që rilind në vend të ulërimës së revoltës edhe në këtë rast është, ku janë institucionet e pavarura të qeverisjes së gjyqësorit e të kontrollit të këtyre shpërdoruesve të pavarësisë së drejtësisë, të cilat prej kohësh po provojnë inekzistencën e tyre në raport me abuzime ulëritëse prokurorësh e gjykatësish të çdo niveli?

Njerëzit që na votojnë e kërkojnë llogarinë tek ne për qëndrimet Antiligj e Antishtet të njerëzve të drejtësisë së pavarësuar totalisht nga ekzekutivi. Po ne ku ta kërkojmë llogarinë në emër të interesave të tyre dhe të vetë shtetit, për këto e shumë thika të tjera pas shpinës që Republika jonë dhe plot qytetarë të saj marrin nga Gjelat e Ballinjtë brenda sistemit të drejtësisë, të cilët paguhen prej taksave të shqiptarëve më shumë e shumë më shumë se sa të gjithë rrogëtarët e tjerë të këtij shteti

Një gjë është pak po e sigurtë: Mandatin e fortë për ta bërë Shqipërinë 2030 shtet të së drejtës, anëtar të Bashkimit Europian, shqiptarët nuk e na e dhanë për të ngritur duart lart përballë Gjelave të prokurorive e Ballinjve të gjykatave, qoftë kur shqelmojnë Republikën qoftë kur grushtojnë njerëzit që meritojnë drejtësi, vetëm drejtësi dhe as më shumë e as më pak se sa drejtësi

Drejtësia vonon po nuk harron, thotë Populli. Për të gjithë

Javë më parë, kreu i qeverisë publikoi foto nga ndërtimet e paligjshme që kishin zaptuar zonën e mbrojtur të Thethit, duke akuzuar prokuroren Elsa Gjeli se nuk kishte nisur procedim penal pavarësisht kallëzimit të bërë nga policia. Menjëherë pas këtij reagimi të Ramës, fadromat e IKMT zbarkuan në Theth ku prishën rreth 100 objekte e struktura të instaluara pa leje. Për qasjen e Ramës ndaj prokurores, reagoi edhe KLP që kërkoi mosndërhyrje të kryeministrit tek puna e prokurorisë. Versus.al

Poll