Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për sekuestrimin e telefonit të kryebashkiakut Erion Veliaj i cili prej më shumë se dy muajsh mbahet në paraburgim i dyshuar për veprat penale të korrupsionit pasiv në 9 raste dhe pastrimit të parave.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, i njëjti që javë më parë kishte rrëzuar kërkesën e Veliajt për t’u liruar nga qelia. Pas këtij vendimi, Veliaj ka të drejtë të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.
Ditën e djeshme, Apeli rrëzoi revokimin e Veliajt për masën e sigurisë ‘arrest me burg’ të caktuar nga Gjykata e Posaçme më 12 shkurt të këtij viti, dy ditë pasi kryebashkiaku ishte arrestuar me urdhër të SPAK.
Tashmë kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga arrestimi i Veliajt i cili ka hequr dorë nga shkrimet e postuara në rrjetet sociale ku drejtohej me gjuhë fyese ndaj prokurorit të posaçëm Ols Dado dhe gjyqtarit Erjon Bani i cili konfirmoi masën e sigurisë ndaj tij.
Në seancën e zhvilluar ku u shqyrtua kërkesa e Veliajt për t’u liruar nga qelia, SPAK tha se kishte edhe një tjetër dosje me akuzë ndaj Veliajt lidhur me provat e siguruara nga përgjimet e bëra ndaj tij në paraburgim ku kryebashkiaku ka komunikuar me persona të ndryshëm për t’u dhënë direktiva mbi mënyrën sesi mediat duhet të shtonin presionin ndaj prokurorëve të SPAK.
Sipas hetimeve të SPAK, Veliaj kishte ngritur një skemë të mirëmenduar nëpërmjet së cilës përfitonte fondet e bashkisë Tiranë duke bërë që fillimisht të kaloheshin tek qendra “Harabel” e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa për të cilën është caktuar “detyrim paraqitje”. Të përfshirë në këtë skemë dyshohet se janë edhe 6 biznesmenë të tjerë të cilët kanë përfituar tendera nga bashkia më e madhe e vendit. mes tyre, Elman Abule është lënë në arrest shtëpie, ndërsa 5 të tjerë, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, janë lënë në detyrim paraqitje. Versus.al








