
Marjola Nakoleci, një shqiptare 38-vjeçare, humbi jetën tragjikisht pasi u vra me thikë nga bashkëshorti i saj, Pandeli Nakoleci, në korridoret e pallatit ku jetonin me tre fëmijët e tyre, në Volos të Greqisë.
Për median greke MEGA ka folur vajza e çiftit, Anastasia, e cila mes lotësh tregoi dhimbjen dhe pasojat e rënda që kjo ngjarje la mbi jetën e saj dhe të vëllezërve.
“Të dy janë fajtorë për mua. Mami sepse bëri një lidhje tjetër, babi sepse kreu krimin. Na lanë në mes të rrugës, pa menduar për ne. Ai njeri që hyri në jetën e mamasë na shkatërroi familjen”, tha 18-vjeçarja.
Anastasia rrëfeu se marrëdhënia mes prindërve dukej e fortë, se ata pushonin dhe dilnin shpesh bashkë, ndërsa për babanë theksoi se kurrë nuk kishte ushtruar dhunë ndaj nënës, por xhelozia e verbër e çoi deri te krimi fatal.
“Ai e donte shumë mamanë. Për këtë u xhelozua. Por nuk kishte të drejtë ta vriste. I thosha: ‘Mos u grindni, dua të rrini bashkë’. Nuk e imagjinoja kurrë këtë fund tragjik. Vetëm dy ditë pasi u kthyem nga pushimet ndodhi gjithçka”, kujtoi ajo.
E reja tregoi gjithashtu se pas ngjarjes, kur i ati ishte ende i fshehur, e kishte telefonuar duke i thënë se nuk e kishte planifikuar krimin: “Më tha: ‘Nuk doja ta bëja, nuk ishte qëllimi im’. Nuk e di nëse dua ta takoj në burg. Dua, por do të doja të ishte edhe mami aty…”.
Anastasia e mbyll rrëfimin e saj me një dhimbje të thellë: “Më mungon mami. Qaj çdo ditë. Shikoj fotot dhe nuk e besoj ende. Është shumë e vështirë të jetosh pa mamanë dhe pa babanë”.







