Kur kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga mbyllja e hetimeve për atë që njihet si afera “Partizani”, sot Gjykata e Posaçme ka vendosur sërish shtyrjen e seancës për të martën e ardhshme ku do të vendosë nëse do kalohen për gjykim 5 të pandehurit, mes të cilëve është edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Prej muajsh, procesi formal është zvarritur pasi gjyqtarja Flojera Davidhi ende nuk ka marrë një vendim për ta kaluar apo jo dosjen për gjykim. Herën e kaluar seanca u shty për shkak të mungesës së avokatit të Jamarbër Malltezit. Ndërsa këtë herë mungoi avokati i të pandehurit Xhimi Begeja.
Përveç kalimit për gjykim dy mundësitë e tjera që gjyqtarja ka janë: pushimin e saj, ose kthimin për plotësim hetimesh, me një afat shtesë për SPAK-un.
Aktualisht i vetmi në arrest shtëpie prej të pandehurve, është Jamarbër Malltezi, ndërsa kryedemokrati Sali Berisha u lirua në nëntor të vitit të kaluar pas një arresti 11 mujor. SPAK dyshon se të pandehurit kanë bashkëpunuar për të kryer privatizimin e ish-kompleksit sportive “Partizani” në shkelje të ligjeve duke përfituar nga pozita e Malltezit dhe lidhja e tij me Berishën në kohën kur ky i fundit ishte kryeministër. Versus.al








