Ditën e sotme dalin para gjykatës tre të akuzuarit për vrasjen e 56 vjeçarit Anesti Rama në fshatin Frashër të Fierit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 23 korrikut.
Krimi makabër tronditi vendin pasi u zbulua se autore ishte vajza e viktimës, Emanilda Rama, 26 vjeçe e cila pati bashkëpunëtorë 55 vjeçarin Çlirim Dogani dhe nënën e saj Valbona Rama. Të tre akuzohen për vrasje të kryer në bashkëpunim.
Detajet e publikuara shokuan opinionin publik pasi rezultoi se autorja kishte patur lidhje intime me Doganin i cili është i martuar dhe baba i dy fëmijëve në moshë madhore. Babai i saj, viktima Anesti Rama ka qenë kundër lidhjes intime që kishte e bija me 55 vjeçarin i cili kishte pothuajse të njëjtën moshë me të. Banorët e zonës dhe familjarët zbuluan për mediat se viktima ishte keqtrajtuar vazhdimisht nga gruaja dhe vajza e tij të cilat herë pas here e linin edhe pa bukë. Autorja dhe e ëma thanë se Anesti Rama ishte rrëzuar aksidentalisht dhe kishte humbur jetën, por hetimet paraprake zbuluan se bëhej fjalë për vrasje të kryer nga 26 vjeçarja. Një ditë pas arrestimit të 26 vjeçares, u arrestua edhe e ëma Valbona Rama për bashkëpunim. Nuk vonoi shumë për prangosjen e Çlirim Doganit, banues në fshatin Arapaj të Roskovecit i cili rezulton të jetë implikuar drejtëpërdrejt në ngjarjen e rëndë duke i mbajtur duart viktimës teksa vajza e tij e mbyste me tel. Versus.al







