Katër shtetas të rinj shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet italiane në Bolzano, të dyshuar për përfshirje në një incident të rëndë dhune që ndodhi natën e 1 majit pranë Qendrës së Panairit Tregtar. Të rinjtë akuzohen për lëndime të rënda trupore, mbajtje të armëve pa leje dhe sulm të organizuar.
Sipas raportit zyrtar të Policisë, gjithçka ka nisur me një përplasje verbale në një klub nate mes të dyshuarve shqiptarë dhe katër të rinjve vendas nga Bolzano. Ndërhyrja e personelit të sigurisë e zgjidhi përkohësisht konfliktin brenda ambienteve të lokalit, por ngjarja mori një kthesë dramatike pak më vonë.
Katër shqiptarët dyshohet se i zunë pritë viktimave jashtë klubit, duke i sulmuar në mënyrë brutale me thika, shufra hekuri dhe zinxhirë metalikë. Dy nga të rinjtë e sulmuar pësuan lëndime të rënda – njëri me një dëmtim të përhershëm në fytyrë, tjetri me plagë që kërkojnë një periudhë shërimi prej të paktën 25 ditësh.
Hetimet e policisë u ndihmuan nga pamjet e kamerave të sigurisë dhe deklaratat e dëshmitarëve, të cilët përshkruan me detaje momentet para dhe pas incidentit.
Gjatë operacionit të bastisjes në banesat e të dyshuarve, një nga shqiptarët u arrestua në vendin e tij të punës, ku autoritetet kishin siguruar prova të mëtejshme për përfshirjen e tij në ngjarje.
Të katër të rinjtë shqiptarë ndodhen aktualisht në paraburgim, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse ka pasur persona të tjerë të përfshirë apo motive më të thella pas përplasjes.
Policia e Bolzanos e ka cilësuar ngjarjen si një sulm të organizuar dhe të mirëmenduar, duke e veçuar nga rastet spontane të dhunës që ndodhin në klube nate. Prokuroria ka kërkuar mbajtjen në burg të të dyshuarve për rrezikshmëri të lartë sociale dhe mundësi të përsëritjes së veprës penale. /Versus.al/







