Durrës- Një shpërthim me tritol është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në zonën e Shijakut në banesën e vëllezërve Julian dhe Altin Balla. Shpërthimi shkaktoi dëme materiale, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Sipas informacioneve, tritoli ishte vendosur në derën e Altin Ballës, por për shkak se banesa e tij është ngjitur me atë të vëllait të shpallur në kërkim, po verifikohet nëse shënjestra ka qenë Juliani.
Hetuesit deri më tani e konsiderojnë shpërthimin e lëndës plasëse si mesazh kërcënues. Kujtojmë se Julian alias Fadil Balla është në kërkim prej më shumë se një vit inga SPAK nën akuzë si pjesë e një organizate kriminale të drejtuar nga Ervis Çela e Franc Çopja të cilët transportonin tonelata me kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës. Përgjimet e SkyEcc zbardhën detaje nga veprimtaria kriminale e të pandehurve.
Kompania e Ballës njihet gjithashtu për faktin se ka fituar disa tendera publik nga bashkitë. Ndërsa pasuritë e tij luksoze si kompleksi “Ajman Park” dhe vila “Elysian” në Dhërmi me vlerë 1 milion euro, janë sekuestruar me urdhër të SPAK. Versus.al

