AKTUALITET /

Plagosja e trefishtë në Elbasan, autori me paruke dyshohet se ngatërroi shënjestër, merret në pyetje nipi i Ot Kilës

Të plagosurit deklaruan në polici se nuk kishin arritur ta njihnin autorin pasi mbante paruke dhe maskë silikoni.

Shkruar nga Versus
Plagosja e trefishtë në Elbasan, autori me paruke dyshohet se
Foto nga lokali dhe Elton Kastriot Kila

Detaje të reja janë zbardhur falë hetimeve për atentatin e mbrëmjes së djeshme brenda lokalit në lagjen “Vullnetari” ku u plagosën kamerieri 19 vjeçar dhe dy klientët Armand Tomorrica dhe Renaldo Mance.

Përveç konfliktit të çastit, policia po heton edhe mundësinë që autori i maskuar me paruke të ketë ngatërruar shënjestër. Dyshimet janë se objektiv mund të ketë qenë nipi i Elton alias Kastriot Kilës i njohur si “Ot Kila”, personazh i njohur në botën e krimit.

Nipi i Ot Kilës ka qenë i ulur në lokal në momentin kur autori hapi zjarr dhe plagosi tre persona.

Të pyetur nga grupi hetimor, tre të plagosurit që tashmë janë jashtë rrezikut për jetën kanë deklaruar se nuk e njohin autorin dhe nuk janë të përfshirë në asnjë konflikt. Në pyetje është marrë edhe nipi i Ot Kilës por nga dëshmitë e siguruara deri më tani grupi hetimor nuk ka arritur të përcaktojë me siguri se ai ka qenë objektivi i sulmit.

Autori arriti të largohej në thellësinë e lagjes duke ndjekur disa rrugica. Në ndjekje të tij u vu edhe një oficer policie që ndodhej rastësisht në lokal, por nuk arriti ta kapte. Versus.al

Poll