Dyshohet se ka arhur nga Serbia kërcënimi për shpërthim që alarmoi institucionet e sigurisë në Kosovë të shtunën, më 5 korrik 2025, kur gjatë orëve të paradites është raportuar për një rrezik të mundshëm në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, bazuar në hetimet paraprake, dyshohet se kërcënimi është bërë përmes një numri telefoni që besohet të ketë origjinën nga territori i Serbisë.
“Forcat policore, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet tjera të sigurisë, kanë ndërmarrë menjëherë hetime intensive me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave dhe identifikimit të autorëve të këtij akti kërcënues,” thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, Policia ka bërë të ditur se janë duke u ndërmarrë masa shtesë hetimore, përfshirë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, për të lokalizuar mjetet teknologjike dhe rrjetet e komunikimit që mund të jenë përdorur në këtë rast.
“Bazuar në informacionet e deritanishme, kërcënimet kanë ardhur përmes një numri telefoni që dyshohet të jetë regjistruar në territorin e Serbisë. Hetimet vazhdojnë në koordinim me prokurorinë kompetente dhe partnerët ndërkombëtarë, për të siguruar përgjegjësinë ligjore ndaj çdo individi të përfshirë,” - thuhet më tej në njoftim.







