Gjykata e Posaçme ka vendosur këtë të martë ndarjen e dosjes “Sterilizimi”, duke ndjekur dy rrugë të ndryshme për të pandehurit: të gjithë, përveç Ilir Beqajt, do të gjykohen me procedurë të shkurtuar. Burime nga seanca gjyqësore bëjnë me dije se Ilir Beqaj nuk ka kërkuar përfitimin e gjykimit të shkurtuar, i cili do t’i jepte atij mundësinë për një ulje të një të tretës së dënimit në rast fajësie.
Pra GJKKO ka pranuar gjykim të shkurtuar për: ish-zv ministrin, Klodian Rrjepaj, Ilir Rrapajn, Matilda Serjani, Samir Kadiu, Arben Gjatën, Petraq Mersini, Genci Byrazerin e Naila Ajazin.
Vendimi e lë Beqajn në një pozitë të veçuar ligjërisht, por edhe politikisht, duke e izoluar nga të pandehurit e tjerë në këtë çështje që ka tronditur opinionin publik për mënyrën si është menaxhuar një koncesion prej miliona eurosh në sektorin shëndetësor.
Beqaj përballë SPAK-ut
Vendimi i gjykatës vjen pas një seance të tensionuar, ku u dëshmua një përplasje e drejtpërdrejtë mes Ilir Beqajt dhe prokurorit të SPAK, Edvin Kondili. Ish-ministri e akuzoi SPAK-un për paqartësi dhe shkelje procedurash, duke ngritur akuza për mungesë të një vendimi të vlefshëm dhe dokumentacion të paplotë.
Çështja e Sterilizimit
Dosja “Sterilizimi” është një nga hetimet më të bujshme të viteve të fundit, që hedh dritë mbi dyshime për abuzim me koncesionin e pajisjeve të sterilizimit në spitale publike, një marrëveshje e cila ka shkaktuar kosto të larta për buxhetin e shtetit. Ish-ministri Beqaj është një nga figurat kyçe në këtë dosje, i akuzuar për shpërdorim detyre, një akuzë që mund të shndërrohet në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” – një zhvillim që vetë ai e kundërshton me forcë, duke pretenduar se nuk është njoftuar kurrë për një ndryshim të tillë.
Çfarë do të thotë gjykim i shkurtuar vs i zakonshëm?
Procedura e shkurtuar është një përfitim ligjor për të pandehurit që pranojnë akuzat pa një gjykim të plotë, duke sjellë si shpërblim ulje të dënimit. Beqaj, në vend që të kërkonte këtë rrugë, duket se po e ndjek një strategji mbrojtjeje agresive, duke i shpallur luftë prokurorisë për çdo pikë të procesit. Seanca e radhës në GJKKO mbahet më 11 qershor. Versus.al







