Data 31 korrik do të jetë dita e fundit e afatit për lirimin vullnetar të hapësirave publike, sidomos atyre pranë akseve kombëtare, që përbëjnë rrezik për sigurinë rrugore. Kryeministri Edi Rama ka theksuar se pas këtij afati, çdo subjekt që nuk i bindet urdhrit do të përballet me masa penalizuese.
“31 Korriku është afati i fundit për lirimin vullnetar të hapësirave nga subjektet e vendosura pranë akseve kombëtare, të cilat janë kthyer në rrezik për sigurinë rrugore. Do të ketë penalizime për ata që refuzojnë të zhvendosen,” – deklaroi Rama.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, gjatë një inspektimi në aksin rrugor Kamëz–Laç. Ajo theksoi se kjo është një reformë e thellë, që po zbatohet në shkallë kombëtare.
“Kjo reformë është shtrirë në të gjithë vendin, që nga tendat, parkingjet, e deri tek akset kombëtare nga veriu në jug. Do të shkojë deri në fund. Ne kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve, sepse shumë prej indicieve për shkelje vijnë pikërisht nga ata,” – u shpreh Balluku.
Ministrja paralajmëroi gjithashtu se do të ketë ndëshkime për çdo shkelës, ndërsa nënvizoi rëndësinë e mbështetjes publike për ta përmbyllur me sukses këtë nismë. /Versus.al







