
Fushatat e marketingut të kompanive shqiptare të përpunimit të qumështit, “Erzeni” dhe “Lufra”, po kritikohen gjithnjë e më shumë nga publiku, pasi përpjekjet për të promovuar produktet përmes figurave patriotike apo trashëgimisë kulturore shqiptare, kanë prodhuar efekt të kundërt.
Së fundmi, kompania “Erzeni” publikoi një reklamë ku përdoret iso-polifonia labe për të promovuar produktet e saj të certifikuara me standardin “ISO”, duke tentuar të krijojë një lidhje simbolike mes trashëgimisë kulturore shqiptare dhe cilësisë së produkteve të saj.
Por reklama u prit me kritika në rrjetet sociale, pasi u konsiderua si një përdorim i gabuar dhe artificial i një vlere të mbrojtur nga UNESCO për interesa marketingu.
Përveç realizimit të dobët, përdorues të shumtë kanë ironizuar edhe imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale që shfaqen në spot, duke e cilësuar fushatën si propagandë vizuale që synon të largojë vëmendjen nga problemet reale të kompanisë me sigurinë ushqimore.
Një situatë e ngjashme ndodhi edhe me kompaninë “Lufra”, e cila në vitin 2024 vendosi në ambalazhet e dhallës figura historike si Ismail Qemali, Skënderbeu, Nënë Tereza, Teuta, Shote Galica dhe Adem Jashari.

Fushata u konsiderua absurde nga shumë konsumatorë dhe analistë të marketingut, pasi figurat kombëtare u përdorën për promovimin e një produkti konsumator, ndërkohë që vetë kompania është përballur vazhdimisht me akuza për cilësinë e produkteve të saj.
Problemet e dy kompanive nuk lidhen vetëm me marketingun. “Erzeni” dhe “Lufra” janë përmendur ndër vite në raportet dhe kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) për praninë e aflatoksinës mbi normat e lejuara në produktet e qumështit.
Sipas të dhënave nga kontrollet e kryera nga AKU gjatë muajve janar-prill 2025, nga 26 mostra të analizuara, 10 rezultuan pozitive me nivele të aflatoksinës mbi normat e sigurisë ushqimore. Specialistët e fushës kanë ngritur shqetësimin se rreth 40% e qumështit të kontrolluar rezultoi i kontaminuar.
Ekspertët e sektorit shpjegojnë se një nga arsyet kryesore të këtij problemi lidhet me faktin se kompanitë nuk disponojnë ferma të mëdha blegtorale dhe një pjesë e konsiderueshme e lëndës së parë sigurohet përmes qumështit pluhur ose grumbullimit të qumështit nga fermerë të ndryshëm.
Edhe vetë “Lufra” ka deklaruar më herët se çmimi i qumështit vendas është i lartë dhe ekonomikisht më leverdishëm rezulton përdorimi i qumështit pluhur për prodhimin e nënprodukteve të bulmetit.
Ndërkohë, reklamat që paraqesin lopë të kuruara, ferma moderne dhe personazhe simbolike si “Lara”, sipas kritikëve, krijojnë një realitet të idealizuar që nuk përputhet me mënyrën reale të furnizimit dhe prodhimit.
Në vend që të fokusohen tek transparenca dhe garantimi i cilësisë ushqimore, dy kompanitë duket se po investojnë gjithnjë e më shumë në fushata emocionale marketingu, të cilat po hasin skepticizëm në rritje tek konsumatorët shqiptarë. Versus.al

