
Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me socialistët e qarkut Dibër me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, u ndal tek projekti i ndërtimit të Rrugës së Arbrit, ku tregoi prapaskenat e procesit që nisi gjatë pushtetit të ish-kryeminsitrit Sali Berisha.
"Kemi gjetur një marrëveshje në parim nga qeveria e mëparshme për Rrugën e Arbrit me një shtet tjetër, marrëveshje skandaloze për nga shtrenjtësia e veprës dhe nga interesat që duhet të paguanin shqiptarët, dhe plus rruga me pagesë.
Kur e kam pyetur njërin që ishte në dijeni për firmosjen e marrëveshjes: “Si e firmosët? Ajo është një tmerr”, që ne u përpoqëm ta negocionim, derisa unë mora vendimin që do ta prishim marrëveshjen dhe do ta ndërtojmë vetë.
Më tha: “Ja kemi thënë të tëra atij, por ai thoshte firmoseni se s’ka për t’u bërë kurrë, por për sa kohë kemi marrëveshjen, ua marrim votat prapë dibranëve".
Më tej ai tha se qeveria nuk e bëri Rrugën e Arbrit për t’u marrë votat dibranëve.
“Ne e bëmë sepse mungesa e asaj rruge ishte boshllëku më i madh mes një shteti dhe një pjese të popullsisë së vet. Ne nuk mund ta linim të ndarë nga pjesa tjetër e popullit, aq më tepër një trevë si kjo që i ka dhënë kaq shumë jo vetëm historisë, por gjithë rrugës së vështirë të ngritjes dhe transformimit të Shqipërisë",- tha Rama. Versus.al

