
Ndërkohë që qytetarët përgjatë dëgjesave publike të zhvilluara kanë ngritur probleme të shumta përsa i takon menaxhimit të zonave ku ata jetojnë, bashkëkryetarët e komisionit për Reformën Territoriale, duket se nuk arrijnë të zgjidhin as se kush e ka radhën për të folur gjatë një mbledhje të zhvilluar në zyrat e Kuvendit.
Seanca dëgjimore u përfshi nga debatet mes Luçiano Boçit dhe Arbjan Maznikut i cili ndërhyri duke i marrë mikrofonin deputetit demokrat me kërkesën që fjala t’u kalohej edhe përfaqësuesve nga mazhoranca.
Pas përplasjes Boçi la sallën e Komisionit, për tu rikthyer më pas, ndërsa debatet me Maznikun vazhduan sërish.
Pjesë nga debati:
Boçi: Prit se do e mbyll. Mund ta mbyll se nuk është etike të ma heqësh mikrofonin mua.
Mazniku: Kanë folur nga ana e opozitës 2 njerëz rresht, nuk ka folur asnjë nga maxhoranca. Jepjani fjalën tani në këtë moment.
Boçi: Urdhër këtu nuk më jep kush. Jua kam thënë edhe njëherë tjetër. Jemi në pozitë të barabartë. Nuk është etike që ndërhyn në fjalën time. Tani e tepruat, e tepruat.
Mazniku: Jepjani fjalën. Kaq.
Boçi: Nuk po bëj pyetje, po bëj parashtrim. Ta përfundoj unë.
Mazniku: Nuk mund të vazhdojë kjo histori. Jepjani fjalën.
Boçi: Nuk mund t’ia jap fjalën. Unë nuk pranoj sfida të tjera, jo një sfidë kaq të vogël. Në komision nuk pranoj sfida të tilla. Dhe një herë, nuk po marr setin e pyetjeve. Bëra marrëveshjen për t’ju lënë kohë, por parashtrimin tim nuk dua të ma ndërpresë kush. Asnjë deputeti s’mund t’ia ndërpresim edhe ne, dhe jo më të ndërhyjmë ne si bashkëdrejtues. Këtu “stop orkestra” është një fjalë e urtë popullore.
Mazniku: Jepni fjalën.
Boçi: Mos bëj si kalama, ta mbaroj. Çfarë është kjo ndërhyrje, nuk e kuptoj.
Mazniku: Keni dy orë që nuk i jepni fjalën një personi të maxhorancës.
Boçi: Jemi në momentin dhe fazën që po japim një shfaqje shumë të bukur si komision. Asnjë nuk e dëshiron. Ky komision sfidë ka edhe durimin.
Mazniku: Tani flas unë. Ti e bëre parashtrimin.
Boçi: Ja mbaje mikrofonin e fute në xhep. Kjo tregon autoritetin tënd.
Mazniku: Jo, jo, zoti Boçi. Mos abuzoni me hapësirën që iu është lënë. Mund të vazhdosh i qetë.
Boçi: Mbaje, ta gëzosh. Njeriu nuk flet vetëm me fjalë. Me xhestet tuaja po dëshmoni që doni të sabotoni punën e këtij komisioni, duke ndërtuar një lloj marrëdhënieje jo korrekte dhe nuk zbatoni as etikën elementare. Unë di ta shkel shumë mirë etikën, por nuk besoj që vlen për punën dhe interesin e qytetarit. Nëse vazhdoni në këtë formë, patjetër që përgjigjja do të jetë shumë e shpejtë. Mendoj se e keni të gabuar këtë formë imponimi këtu. Secili deputet këtu zgjedh kohën e vet, mënyrën e vet të të folurit. Mënyra pastaj se si vazhdoni ju pa prezencën tonë, është shumë absurde.
Mazniku: A mbarove, të flas unë?
Boçi: Mos e tepro.
Mazniku: Mos e ngri zërin.
Boçi: E ngre zërin, ngre edhe gjëra të tjera. Fjalën ia kaloj unë kolegëve të mi.
Mazniku: Do flas unë, nuk ka për të folur njeri. Versus.al

