
Një dron i ushtrisë ruse që po përdorej për sulme ndaj Ukrainës, u rrëzua mbi një ndërtesë apartamentesh në lindje të Rumanisë duke lënë të plagosur 2 persona, njëri prej të cilëve i mitur.
Droni u identifikua nga radarët dhe u përplas në çatinë e një pallati në qytetin Galati. Autoritetet reaguan menjëherë në vendngjarje, ndërsa ushtria rumune ngriti në ajër dy avionë luftarakë F-16 dhe një helikopter të pajisur për të goditur objektiva ajrore. Banorëve të zonës iu dërguan mesazhe alarmi për situatën e rrezikshme.
Ministria e Jashtme e Rumanisë e cilësoi incidentin si një “përshkallëzim të rëndë dhe të papërgjegjshëm” nga Rusia dhe një “shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare” dhe të hapësirës ajrore rumune. Bukureshti deklaroi se do të ndërmarrë hapa diplomatikë në përgjigje të incidentit dhe i kërkoi NATO-s të përshpejtojë transferimin e sistemeve dhe aftësive kundër dronëve në Rumani.
Ndërkohë në Tiranë, për ngjarjen reagoi ministria e Jashtme e cila dënoi sulmin rus duke e cilësuar si “absurditet” dhe “përshkallëzim serioz” të konfliktit.
“Shqipëria dënon sulmin rus me dron në Galați, Rumani, i cili goditi një ndërtesë banimi dhe plagosi civilë, përfshirë një të mitur. Shprehim solidaritetin tonë të plotë me popullin dhe autoritetet e Rumanisë dhe u urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë të plagosurve.
Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse dhe nënvizon më tej absurditetin dhe koston njerëzore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasojat e së cilës vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë dhe mbrojtjen e civilëve përtej kufijve të Ukrainës.
Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me aleatët dhe partnerët tanë, në mbështetje të përpjekjeve të koordinuara për t’i dhënë fund kësaj lufte në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare“, thuhet në reagimin e Ministrisë në “X”. Versus.al

