
Seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin është shtyrë për në datën 17 nëntor. Shkak u bë largimi nga salla i avokatit të Metës, Kujtim Cakrani i cili kërkoi përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka duke e konsideruar person në konflikt interesi.
Ndërkohë në dalje për mediat, ish-deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi tha se letërporosia nga SHBA provon se ish-LSI ka paguar po aq fatura sa kishte deklaruar. Më tej akuzoi SPAK-un se kishte nisur hetimet për ‘gojëdhënat’ e floririt ndaj Metës, por deri më tani kishte mbetur tek një operacion i kryer prej saj në 2019-ën për një problem shëndetësor.
“Duke e lexuar me ekspertë financiarë është e faktuar se LSI ka paguar aq fatura sa ka deklaruar. Pretendimet nga SPAK kanë të bëjnë me paaftësinë e lexuesit financiar në prokurori ose keqdashësi. Mos harroni të nderuar gazetarë që ky hetim ka filluar për të hetuar minierat e floririt, gradaçelat në Angli e Amerikë dhe milionat në offshore. Faktikisht po rezultojmë që kemi ngelur tek heqja e mitrës së Monika Kryemadhit në 2019-ën”- u shpreh Kryemadhi ndër të tjera. Versus.al
