AKTUALITET /

Nisin arrestimet për krime zgjedhore? Nga Tirana në Korçë, SPAK mësyn në disa qytete të Shqipërisë, çfarë dyshohet

Burime për Versus.al konfirmojnë se kontrollet po zhvillohen në Laç, Tiranë, Korçë dhe Durrës, ku janë vënë në fokus disa subjekte politike të përfshira në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Shkruar nga Versus

Nisin arrestimet për krime zgjedhore? Nga Tirana në Korçë,

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Gjykatën e Posaçme, ka ndërmarrë një seri kontrollesh në disa qytete të vendit, në kuadër të hetimeve për dyshime mbi krime zgjedhore dhe korrupsion elektoral.

Burime për Versus.al konfirmojnë se kontrollet po zhvillohen në Laç, Tiranë, Korçë dhe Durrës, ku janë vënë në fokus disa subjekte politike të përfshira në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Operacioni është urdhëruar nga GJKKO, pas kërkesës së SPAK, si pjesë e disa procedimeve penale të ndara, që lidhen me dyshime për blerje votash, përdorim të paligjshëm të burimeve publike dhe presion ndaj zgjedhësve.

Kontrollet janë duke u kryer në ambiente që dyshohet se janë përdorur gjatë fushatës zgjedhore si pika koordinimi apo shpërndarjeje fondesh dhe materialesh në mënyrë të paligjshme. Ende nuk është bërë e ditur nëse ka persona të ndaluar apo të shoqëruar, por burimet thonë se veprimet hetimore janë në fazë intensive dhe priten masa të mëtejshme ligjore.

SPAK ka paralajmëruar më herët se do të hetojë çdo rast të dyshuar për krime zgjedhore me seriozitet dhe paanshmëri, ndërsa ka ftuar qytetarët dhe përfaqësuesit politikë që të bashkëpunojnë me drejtësinë për të garantuar integritetin e procesit demokratik. /Versus.al/

Poll