
Pas thirrjes së bashkëshortes së tij ndaj Giorgia Melonit dhe letrës që njëri prej senatorëve italianë i shkroi Begajt, shkencëtari italian Michele D’Angelo ka reaguar vetë nga burgu i Fierit ku mbahet në paraburgim prej rreth 2 muajsh pas aksidentit rrugor të ndodhur më 8 gusht.
“Po jetoj këto ditë me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje ndaj atyre që më mbështesin dhe shprehin atë që ka ndodhur, në mënyrë që të krijohet qartësi’’- janë disa prej fjalëve të profesorit italian.
“Nuk mund ta mohoj se masa e paraburgimit në burg është, sipas mendimit tim, e tepruar,” shkroi ai. “Është një gjendje jashtëzakonisht e vështirë, e bërë edhe më e vështirë nga fakti që jam larg shtëpisë, në një vend gjuhën e të cilit nuk e flas.
Duke marrë parasysh sjelljen time, historinë time personale dhe profesionale, si dhe ekzistencën e metodave alternative që mund të sigurojnë pajtueshmërinë me procedurat pa kompromentuar më tej shëndetin dhe ekuilibrin tim psikologjik, shpresoj vërtet që ky reflektim të pritet me kujdes” – shkruan ai në letrën e përcjellë nga bashkëshortja e tij Vanessa Castelli.
Profesori, nëpërmjet gruas së tij, përsërit besimin e tij në institucionet lokale: “Unë i besoj punës së autoriteteve shqiptare dhe aftësisë së tyre për të vlerësuar çdo faktor në mënyrë të paanshme.”
Në qendër të mesazhit është mbështetja e shumë njerëzve: “Mbështetja që po marr nga Vanessa, nga kolegët, nga studentët, nga institucionet është ajo që më mban larg shembjes. Është spiranca ime. Çdo fjalë që vjen nga jashtë, çdo gjest, çdo shenjë shqetësimi është si një dritare që hapet. Vanessa më mban të informuar, më tregon se çfarë po ndodh dhe më jep forcën e dikujt që nuk ka pushuar kurrë së besuari në mundësinë e një interpretimi të ekuilibruar të fakteve.”
D’Angelo përfundon me një kujtesë për nevojën për drejtësi: “Dhe unë, që këtej e tutje, vazhdoj të jetoj këto ditë me disiplinë, me durim dhe me shpresën se kjo vëmendje mund të transformohet në qartësi. Nuk po kërkoj dhembshuri, por të vërtetë. Nuk po kërkoj privilegje, por drejtësi.” Versus.al







