
Shkencëtari italian Michele D’Angelo prej dy muajsh mbahet në paraburgimin e Fierit për një aksident të ndodhur në gusht. Pas apelit të njërit prej senatorëve italianë ndaj presidentit Bajram Begaj për të ndërhyrë në këtë çështje, edhe Vanessa Castelli, partnerja e shkencëtarit i ka bërë thirrje kryeministres italiane Giorgia Meloni që të ndërhyjë duke përdorur marrëdhëniet e mira mes Italisë dhe Shqipërisë.
Duke e përshkruar si tepër të rënduar gjendjen psikologjike të partnerit të saj, Castelli thotë se kjo ngjarje i ka lënë një efekt të madh profesorit të Biologjisë i cili jep leksione në universitetin e L’Aquila-s në Itali.
Aksidenti me makinë në të cilin ai dhe partnerja e tij u përfshinë rezultoi në vdekjen e një 16 vjeçari.
Në një intervistë me Repubblica , Castelli u bën thirrje institucioneve italiane të ndërmarrin veprime për të mbështetur bashkatdhetarin e tyre të ndaluar jashtë vendit.
"I drejtohem edhe një herë me besim Kryeministres, të cilës i kam shkruar tashmë një letër dhe institucioneve italiane, duke i kërkuar atyre të ndërmarrin veprime vendimtare për të siguruar që Michele të mund të përballet me këtë situatë me dinjitet, qetësi dhe drejtësi. Profesori kujton marrëdhënien e fortë midis Italisë dhe Shqipërisë dhe u kërkon autoriteteve kompetente "të marrin në konsideratë transferimin e procedurave në Itali, ku Michele mund t'i përballojë ato me një mbrojtje më të madhe, në një kontekst që ai e njeh, i rrethuar nga të dashurit e tij, kolegët e tij dhe studentët e tij"- thuhet mes të tjerash në thirrjen e Castellit për shkencëtarin italian.
Sipas familjarëve të tij, profesori po mbahet në burg për shkelje të rregullave të trafikut, shkelje e cila duhet të mbartë vetëm gjobë. Përplasja fatale ndodhi mbrëmjen e 8 gushtit kur çifti italian po shkonte në dasmën e një miku.
Pretendimi i Castellit për ngjarjen
"Rruga ishte e lirë, Michele po kthehej ngadalë, me sinjalin e kthesës të ndezur, në vijën me pika që tregonte hyrjen e restorantit ku po festohej dasma. Në atë moment, papritmas, një Mercedes-Benz i bardhë u shfaq me shpejtësi shumë të lartë, i cili nuk dukej se po ngadalësohej. Michele frenoi instinktivisht dhe kjo e bëri përplasjen më pak katastrofike."
Sipas hetimeve, Castelli dhe D'Angelo u përpoqën të kërkonin ndihmë, por askush nuk u ndal dhe as policia nuk mbërriti në vendngjarje. Versus.al







