AKTUALITET /

‘Onkologjiku’ u zbulua nga KLSH, por Ministria nisi hetim administrativ veç pas publikimit të skandalit

Shkruar nga Versus

‘Onkologjiku’ u zbulua nga KLSH, por Ministria nisi hetim

Pavarësisht se Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte muaj që kishte ngritur alarmin për atë që po ndodhte tek Spitali Onkologjik, u desh hetimi i Prokurorisë së Tiranës dhe prangosja e disa mjekëve që Ministria e Shëndetësisë të nisë marrjen e masave.

Ministrja Albana Koçiu, pas mbledhjes së qeverisë këtë të mërkurë, tregoi hapat që do të ndërmarrë për të hetuar më thellë skandalin e zhvatjes së qytetarëve nga mjekët tek Onkologjiku.

“Hetimi administrativ që ne kemi nisur do të jetë një hetim që do të trajtojë shumë aspekte. Do të iniciojmë shumë shpejt dhe ndryshime ligjore për urdhrin e mjekut”, tha ministrja.

Por, opozita këtë reagim e quan të vonuar dhe të pamjaftueshëm, pasi, sipas tyre, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka qenë shumë i qartë në raportin e tij dhe masat duhet të ishin marrë shumë kohë më parë.

Ilir Alimehmeti, drejtues i Departamentit të Shëndetesisë në PD, deklaron: “Skandali i radhës në “shëndetësinë e vdekjes” të Edi Ramës, jo më i rëndi në përmasa financiare, por më antinjerëzori në etikë dhe moral. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në fund të vitit të shkuar, me anë të një raporti zbuloi një panoramë dramatike te Spitali Onkologjik”.

Zheni Gjergji, deputete e PD, theksoi: “Rasti i personelit shëndetësor tek Onkologjiku nuk mund të trajtohet si një rast i izoluar. E vërteta e shëndetësisë, e Onkologjikut, e shërbimeve të reduktuara apo e mungesës së ilaçeve duhet kërkuar tek përgjegjësit kryesor, që janë qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë”, shkruan A2.

Për t’i kërkuar llogari ministres Koçiu janë dorëzuar edhe dy kërkesa për interpelancë, e para nga 7 deputetë të grupit të Partisë Demokratike dhe e dyta nga Arbi Agalliu, deputet që mbështet Lulzim Bashën. 

Poll