Kid Kazazi, 30 vjeç, banues në Kavajë dhe i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje, është arrestuar nga shërbimet e Komisariatit Nr.2 në Tiranë gjatë një operacioni të koduar “Danger”. Ai u lokalizua në zonën e “Komunës së Parisit” dhe u prangos së bashku me një person tjetër.
Kazazi ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit kishte caktuar për të masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë, dhe “Armëmbajtja pa leje”. Më 30 maj 2025, në Fllakë, për motive të dobëta, ai qëlloi me armë zjarri ndaj një automjeti ku ndodheshin tre persona. Një prej të cilëve, Arbër Goreja, mbeti i plagosur, ndërsa dy fëmijët e mitur që ishin me të shpëtuan pa dëmtime.
Kazazi ka qenë edhe ish-kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Kavajë. Gjatë ndalimit në Tiranë, ai ndodhej në një makinë me Ferhat Kajën, 31 vjeç, pronar i rrjetit të lokaleve “Stockholm”, i cili gjithashtu u arrestua për shkak se dyshohet se e ndihmoi Kazazin të fshihej. Gjatë kontrollit fizik, pronarit të 'Stockholm' u gjet një sasi municioni luftarak.
Gjithashtu ky i fundit ishte shpallur në kërkim pasi kishte dhunuar biznesmeni Laert Kasaj, ngjarje e ndodhur në muajin korrik të këtij viti në brendësi të kompleksit “Deliorgji” në Tiranë.
Kraja së bashku me disa persona të tjerë dhunuan në mënyrë barbare Laert Kasajn.
Përplasja fizike erdhi për shkak se Kaja dyshonte se Kasaj e kishte denoncuar për zaptimin e hapësirave publike.
Në operacion u sekuestruan gjithashtu dy dokumente të falsifikuara – një kartë identiteti dhe një patentë – që Kazazi i kishte përdorur për të fshehur identitetin e tij, por që rezultuan të jenë me të dhënat e një personi tjetër.
Njoftimi i plotë i Policisë së Tiranës
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim për tentativë vrasje, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Danger".
Si rezultat i këtij operacioni, në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”, është lokalizuar dhe kapur shtetasi K. K., 30 vjeç, banues në Kavajë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurimit personal "Arrest në burg", për veprën penale "Vrasja në rrethana cilësuese", mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. 30-vjeçari, me datë 30.05.2025, në Fllakë, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti ku udhëtonin 3 shtetas.
Në vijim të operacionit është arrestuar dhe shtetasi F. K., 31 vjeç, i cili ndodhej bashkë me 30-vjeçarin në një automjet. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka përkrahur dhe ndihmuar 30-vjeçarin të fshihej.
Në momentin e ndalimit 30-vjeçari i ka paraqitur punonjësve të policisë dy dokumente identifikimi(kartë Id dhe leje drejtimi) me të dhënat e një shtetasi tjetër, të dyshuara të falsifikuara. Ndërsa, gjatë kontrollit fizik 31-vjeçarit i gjetën një sasi municioni luftarak.
Shtetasi K. K, iu kalua DVP Durrës për veprime të metejshme./Versus.al







