Ka dështuar sot në Gjykatën e Posaçme seanca e pajtimit mes deputetes demokrate Albana Vokshi dhe biznesmenes Vilma Nushi e cila e kishte paditur për shpifje dhe fyerje.
Vokshi në dalje për mediat u qëndroi akuzave të bëra ndaj biznesmenes sa i takon koncesionit të sterilizimit ndërsa pretendoi se përballë ka kryeministrin Edi Rama dhe jo vetë Nushin. Ndërsa theksoi se do u shkojë deri në fund deklaratave të saj për Nushin.
'Asnjë nga palët nuk pranoi të pajtohet, pra kaloi në seancë shqyrtimi. Seanca e radhës u la për 13 mars ora 9. Meqë Vilma Nushi nuk mbylli as gojën time, as të opozitës, por në formë shantazhi më ka paditur pas letrave publike dhe investon GJKKO, sigurisht siç isha në herën e kaluar do jem në çdo seancë për të prezantuar të gjitha faktet që unë i kam prezantuar edhe në komisionin hetimor. Nuk mund të pranoj dhe do vazhdojë të denoncoj në të gjitha hapësirat e mia çdo abuzim, korrupsion dhe sidomos kur kanë të bëjnë me jëtën e qytetarëve. Vilma Nushi e ka financuar Edi Ramën për të marrë pushtetin dhe Ramna i dha koncesionin e check up dhe pas këtij koncesioni i dha me dhjetëra tendera të tjerë', u shpreh Vokshi për gazetarët.
Albana Vokshi gjatë drejtimit të komisionit të posaçëm për hetimin e koncesioneve në Shëndetësi, akuzoi Vilma Nushin si përfituese të fondeve nga taksapaguesit shqiptarë për “Check Up” dhe “Sterilizimin” duke mos ofruar asnjë shërbim me kompanitë e saj.
Nga ana tjetër, pavarësisht kërkesës së deputetëve demokratë Nushi nuk u paraqit në komision për të dëshmuar për shkak se socialistët nuk e pranuan një gjë të tillë. Me dështimin e seancës për pajtim, në seancat e radhës do të gjykohen faktet e paraqitura nga palët dhe GJKKO do të dalë në një përfundim. Versus.al








