
Detaje të reja janë zbardhur nga skema e pastrimit të parave të cilat dyshohet se e kishin preardhjen nga trafiku i drogës, vepër penale për të cilën ishte dënuar Eman Abule (shtetas belg), i cili rezulton të jetë “koka” e perandorisë me 50 mln euro pasuri që u sekuestruan sot nga Prokuroria e Tiranës.
Në skemën e pastrimit të parave, janë të përfshira edhe bashkëshortet e dy biznesmenëve, konkretisht Drilona Boçi dhe gruaja e Elman Abule, nën emrin e të cilave janë disa pasuri të sekuestruara.
Hetimet kanë zbuluar se janë Kristian Boçi, në bashkëpunim me Eman Abulen kishte krijuar kompani fiktive të cilat pavarësisht se nuk kryenin aktivitet financiar, kishin rritje të kapitalit. Janë zbuluar veprime fiktivie si për shembull: shitje – blerje automjeti, ku në të njëjtën ditë është kryer anullimi i veprimit juridik, duke u shitur më tej mjeti me çmim shumë të lartë, marrja e kredive nga banka të nivelit të dytë, në nivele të pajustifikuara, ku vetë banka çuditësisht del edhe garant i shumave të dhëna, krijimi i shoqërive fiktive, dhënia e huave në shuma të konsiderueshme, por duke mos u justifikuar burimi i ligjshëm i krijimit të tyre, krijimi i kompanive me kuota të përbashkëta midis Elman Abule dhe Kristian Boçit, apo midis Kristian Boçit dhe E. B., duke u përcaktuar vlera të mëdha të kuotave, por të pashlyera nga ortakët respektivë, blerja e heceve me vlera të konsiderueshme, por pa pasur një burim konkret të të ardhurave.
Kristian Boçi i cili përcaktohet edhe si "influencer" në instagram, është i njohur për jetën e tij luksoze të cilën e shfaq edhe me foto në rrjetet sociale, shoqërinë me njerëz të ndryshëm të showbizit, dikur me boksierin Florian Marku dhe reperin Noizy, si dhe me aktorin e humorit Bes Kallakun apo këngëtarë e artisë të ndryshëm.



Po ashtu, bashkëshortja e tij Drilona Boçi zotëron një nga atelietë më të njohura të veshjeve në Tiranë. Ajo ka marrë pjesë edhe në konkurse bukurie si dhe është e diplomuar për drejtësi.







