Apeli i Gjykatës së Posaçme ka liruar nga qelia ish-zv.drejtorin e policisë së Tiranës, Erzen Breçani i cili mbahej në burg që prej nëntorit të vitit të kaluar pasi u arrestua në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Breçanit i është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie” duke iu ndaluar komunikimi me persona të tjerë përveç atyre që jetojnë me të.
"- Urdhërohet lirimi i personit nën hetim Erzen Breçani, nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër.
- Urdhërohet personi nën hetim Erzen Breçani, që të mos largohet nga banesa e tij e cila ndodhet në adresën ***, si dhe që të mos komunikojë me persona të tjerë, me përjashtim të atyre të cilët jetojnë në të njëjtën banesë.
- Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe shërbimet e policisë gjyqësore përkatëse për zbatimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij"- thuhet në vendimin e Apelit të GJKKO.
Në mars të këtij viti, GJKKO rrëzoi kërkesën e Breçanit për lirimin nga qelia me pretendimin se i rrezikohej jeta për shkak të problemeve të tij shëndetësore. Breçanit iu vunë prangat më 20 nëntor të vitit të kaluar teksa përgatitej të shihte ndeshjen e kombëtares në “Air Albania”. Arrestimi i tij u bë nën dyshimin se Breçani ishte pjesë e një grupi strukturuar kriminal të trafikut të drogës pasi përgjimet e zbardhura nga SPAK, përmbanin edhe mesazhe të dërguara nga ish-oficeri drejt djalit të tij Eralbi Breçanit i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Versus.al








