AKTUALITET /

Përplasjet në Zvërnec gjatë protestës kundër projektit ndërtimor – 17 të proceduar penalisht

Policia e Vlorës: përplasje me protestuesit në “Portonovë”, dëmtime trupore dhe kallëzim penal ndaj punonjësve të sigurisë private

Shkruar nga Versus

Përplasjet në Zvërnec gjatë protestës kundër

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen e ndodhur më 30.05.2026 në zonën e “Portonovës”, në fshatin Zvërnec, ku banorë të zonës zhvilluan një tubim në kundërshtim të një projekti ndërtimor të një kompanie private.

Sipas njoftimit të policisë, forcat e rendit kanë ndërhyrë për të garantuar sigurinë publike dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, pas njoftimit të marrë për zhvillimin e protestës.

Gjatë tubimit, situata është tensionuar, ku një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme dhe kanë tentuar të prishin rrethimin e kantierit ndërtimor. Në këto rrethana, një prej protestuesve, shtetasi E. S., ka hyrë me forcë brenda perimetrit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e një shoqërie private të sigurisë në ambientin e tyre të punës.

Gjatë shoqërimit, shtetasit E. S. i janë shkaktuar dëmtime trupore, ndërsa më pas shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke e nxjerrë atë nga ambientet ku mbahej dhe e kanë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Aty, ai ka bërë kallëzim ndaj dy punonjësve të sigurisë private.

Në vijim të veprimeve procedurale, policia ka proceduar penalisht dy punonjës të shoqërisë private të sigurisë, shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht edhe 15 shtetas të tjerë pjesëmarrës në tubim, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës dhe kanë tentuar të dëmtojnë rrethimin e kantierit ndërtimor.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Poll