Pesë punonjës kanë humbur jetën në vendin e punës gjatë muajit maj.
Tre prej tyre në sektorin e ndërtimit, 2 në Lezhë dhe së fundmi sot një 28 vjeçar në Tiranë. Ndërsa më 21 maj pati dy vdekje në të njëjtën ditë, ku humbën jetën Armand Peshku minatory dhe Jurgen Veshaj, 24 vjeç, punëtor në një gurore në Vlorë.
Dyshohet se në të gjitha rastet, shkak për vdekjen e punëtorëve ka qenë mungesa e kushteve të sigurisë teknike në punë.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë e ka konsideruar këtë si një alarm me shifra dramatike për një vend të vogël si Shqipëria. Në reagimin e bërë në facebook, u kërkohet institucioneve që të reagojnë në mënyrë që të parandalohen tragjedi të tilla.
Reagimi i plotë nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë:
Alarm, 5 të vdekur nga aksidentet në punë në 1 muaj!
Në një kantier ndërtimi në Tiranë sot u shënua tragjedia e radhës, kur një 28 vjeçar humbi jetën pasi ra nga një lartësi e konsiderueshme.
Edhe këtë herë shkak i aksidentit në punë dyshohet mosrespektimi i kushteve të sigurisë teknike në punë, teksa Inspektoriati i Punës vijon të jetë në gjumë dimëror.
KSSH I shpreh ngushëllime familjes dhe kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ky është aksidenti I 5 në punë më viktima për këtë muaj.
Në 21 Maj në minierën e Martaneshin humbi jetën minatori Armand Peshku, dhe po në 21 maj në një gurore në Vlorë, humbi jetën punëtori Jurgen Veshaj.
Në 9 Maj në Shëngjin humbi jetën pasi ra nga lartësia punëtori I ndërtimit Emiljano Frroku, ndërsa dy ditë më pas në Shëngjin humbi jetën në punë punëtori i ndërtimit Dedë Gjoni.
Këto shifra janë dramatike për një vend të vogël si Shqipëria, ndaj institucionet që mos qëndrojnë indiferente.







