
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Golem të Lushnjes, ku një konflikt mes dy banorëve të zonës ka përfunduar me përdorimin e armës së ftohtë.
Sipas informacioneve paraprake, një 17-vjeçar ka goditur dy herë me thikë një 40-vjeçar gjatë një sherri që ka nisur në ambientet e një lokali në fshat. Përplasja mes tyre ka degjeneruar në dhunë, duke sjellë plagosjen e burrit 40-vjeçar.
I dëmtuari është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Lushnjes, ku po merr ndihmën mjekësore dhe, sipas burimeve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Policisë kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje, duke bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar, 17-vjeçarit. Gjithashtu, uniformat blu kanë sekuestruar thikën e përdorur në ngjarje, në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në konfliktin mes dy banorëve të fshatit Golem.

