Sektori i botimit në Shqipëri ka kaluar një vit të vështirë dhe sfidues më 2024, por gjithashtu ka shënuar disa arritje domethënëse.
Me një botë gjithnjë e më dixhitale dhe ndryshime të vazhdueshme në preferencat e lexuesve, aktorët kryesorë të sektorit janë përballur me sfida që lidhen me rënien e interesit për librin e printuar, kostot e larta të prodhimit dhe konkurrencën nga platformat dixhitale.
Megjithatë, perspektivat për vitin 2025 janë të mbushura me potencial për zhvillim dhe inovacion.
Viti 2025 pritet të jetë transformues për sektorin e botimit në Shqipëri. Ndërsa sfidat mbeten të shumta, botuesit po tregojnë një angazhim të fortë për të përqafuar inovacionin dhe për të mbajtur gjallë pasionin për librin.
Me përmbajtje të përmirësuar, strategji të reja dhe një fokus më të madh te lexuesit, ky sektor ka potencialin të ripërtërijë veten dhe të forcojë pozicionin e tij në treg.
Një nga sfidat e këtij viti ka qenë rënia e shitjeve të librave të printuar. Sipas Loreta Berhamit, drejtuese e shtëpisë botuese “Pegi”, një nga sfidat kryesore ka qenë ulja e shitjeve të librave të printuar.
“Kemi vënë re që lexuesit, sidomos të rinjtë, po preferojnë gjithnjë e më shumë librat dixhitalë dhe audiobook-ët, duke sfiduar botuesit të përqafojnë teknologjinë”, – shprehet ajo.
Një tjetër problematikë që qëndron është rritja e kostove të prodhimit. Arlinda Dudaj, themeluese e shtëpisë botuese “Dudaj”, thekson se inflacioni ka ndikuar ndjeshëm në koston e letrës dhe të printimit.
“Për botuesit shqiptarë, që punojnë me tirazhe të vogla, këto kosto janë një barrë e madhe që shpesh nuk përkthehet në fitime”, deklaron ajo.
Problematikë vijon të jetë mungesa e promovimit. Elda Sadikaj nga “Mediaprint”, nënvizon se çelësi është promovimi i librit si brenda vendit, ashtu edhe në diasporë. “Kjo mund të arrihet nëpërmjet nismave kulturore dhe bashkëpunimeve me komunitetet shqiptare jashtë shtetit”, -thotë ajo.
Megjithatë, viti 2024 solli edhe disa suksese të spikatura. Petrit Ymeri, drejtori i shtëpisë botuese “Dituria”, vlerëson se disa libra, veçanërisht ata me tema edukative dhe motivuese, patën një pritje të ngrohtë nga publiku.
“Kjo tregon se ende ka interes për libra që frymëzojnë dhe zhvillojnë njohuritë e lexuesve”, – thekson ai.
Perspektivat për vitin 2025
1.Dixhitalizimi dhe audiobook-ët – Për të adresuar ndryshimet në preferencat e lexuesve, shtëpitë botuese do të vazhdojnë të investojnë në platformat dixhitale.
Loreta Berhami deklaron se po mendojnë të zgjerojnë katalogun e librave në format dixhital dhe për të bashkëpunuar me aktorë globalë.
2.Edukimi i publikut – Botuesit janë të vendosur të nxisin një kulturë të re leximi. Elda Sadikaj thekson se “do të organizojmë aktivitete që promovojnë librin si vlerë të pazëvendësueshme, sidomos në shkollat dhe komunitetet lokale”.
3.Partneritetet dhe subvencionet – Arlinda Dudaj sugjeron se një nga zgjidhjet për të përballuar kostot e larta është bashkëpunimi me institucione publike dhe private. “Subvencionet për letrën ose nisma të përbashkëta me platforma si Amazon mund të ndihmojnë në uljen e barrës financiare”, – thotë ajo.
4.Përmbajtje të reja dhe autorë shqiptarë – Petrit Ymeri është optimist se vitet e ardhshme do të shohim më shumë autorë të rinj shqiptarë që do të sjellin perspektiva të freskëta. “Lexuesit po fillojnë të vlerësojnë letërsinë kombëtare dhe kjo është një mundësi e shkëlqyer për të rritur prodhimin vendas”, – thekson ai. Monitor.al








