
Projektligji më i ri për “Barazinë Gjinore”, i cili tashmë është depozituar në parlament, ka shkaktuar debat të gjerë në opinionin publik.
Drafti i përpunuar sjell ndryshime të rëndësishme nga versioni fillestar, duke zgjeruar kuptimin e gjinisë si një nocion “gjithëpërfshirës”.
Ky qasje nënkupton njohjen ligjore të identiteteve gjinore përtej ndarjes tradicionale burrë-grua dhe të drejtën e individëve për të shprehur hapur identitetin e tyre gjinor.
Ndërsa përkrahësit e reformës e konsiderojnë këtë hap një përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit, drafti ka nxitur edhe reagime të forta kundër. Një prej figurave publike që ka shprehur hapur kundërshtimin është prezantuesja Albana Osmani.
Në një postim të gjatë, ajo theksoi se projektligji nuk duhet të miratohet, duke e quajtur një “deformim të vlerave familjare dhe të natyrës njerëzore”.
Osmani shtoi se roli i prindërve si burim i jetës dhe themel i familjes po vihet në pikëpyetje nga “axhenda të imponuara” dhe ngriti pyetjen nëse qytetarët janë pyetur apo konsultuar për një ndryshim kaq të rëndësishëm ligjor.
Në përfundim, prezantuesja deklaroi se personalisht nuk do të votonte kurrë një projektligj të tillë, duke theksuar se ky nuk është një hap drejt modernizimit, por mund të rrezikojë të ardhmen e brezave të rinj. Ajo e lidhi këtë zhvillim edhe me figurat historike që kanë mbrojtur identitetin kombëtar, duke paralajmëruar se shoqëria shqiptare po përballet me një provë të vështirë.
Postimi i Albana Osmanit:
Nëse ky është kushti për t’u bërë pjesë e Europës, unë e refuzoj pa hezitim.
Nuk mund të pranoj një Europë ku fëmijët dhe të rinjtë tanë, nesër, do të shtyhen të identifikohen me diçka që nuk është pjesë e natyrës së tyre njerëzore apo më keq akoma, të shndërrohen në objekte talljeje që barazojnë veten me kafshë apo objekte . Ky është një deformim i thelbit të qenies njerëzore dhe një axhendë e imponuar nga struktura që prej kohësh kanë humbur busullën morale, duke kërkuar të zgjerojnë rrjetin e tyre shkatërrimtar.
Në këtë skenar, nënës dhe babait burimit të jetës, themeleve të familjes dhe vazhdimësisë së shoqërisë u hiqet çdo kuptim.
Ndërkohë që shumë vende të zhvilluara po marrin masa të forta për të mbrojtur fëmijët e tyre dhe të ardhmen e shoqërisë, tek ne këto ide po kalojnë si pa u vënë re, pa transparencë, pa debat publik. Pyetja është: a e ka votuar ndokush këtë? A i është dhënë popullit fjala? Personalisht, jo vetëm që nuk do ta votoja, por kurrë nuk do ta pranoja.
Sot, kjo çështje paraqitet me ambalazh të bukur, si një “hap modernizues”, ndërkohë që në realitet barra bie mbi familjet tona, mbi fëmijët tanë, mbi të ardhmen e vendit.
Uroj të zgjohemi përpara se të vijë dita kur një prind të dëgjojë djalin e tij të thotë: “Që sot unë jam një gomar.” Apo identifikohem me “nje autobus” .
Nga Skënderbeu që mbrojti identitetin dhe lirinë e shqiptarëve, te Ismail Qemali, Isa Boletini, Hasan Prishtina e Luigj Gurakuqi që shpallën Pavarësinë, nuk luftuan dhe nuk sakrifikuan që Shqipëria të kthehej në absurditete, por që të mbetej e lirë, dinjitoze dhe e vërtetë ndaj vetvetes.
Rroftë Shqipëria e Shqiptarëve ????????
NËNË DHE BABË FJALET ME TE BUKURA NE BOTE ME TE SHTRENJTA NE BOTE./Versus.al
View this post on Instagram







