
Ngjarja e ndodhur të hënën pranë shkollës “Fan Noli” ku 14 vjeçari M.P vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij M.C pas një sherri banal mes tyre, ka tronditur shoqërinë shqiptare edhe për faktin se autori nuk ka shfaqur shenja pendese në polici.
I ftuar në emisionin “People”, gazetari Andi Llabuti tha se fakti që asnjë prej prindërve të të miturit nuk ka kërkuar falje për ngjarjen e rëndë, ngre pikëpyetje mbi nivelin që ata kanë dhe mbi edukatën që kanë dhënë tek djali i tyre.
“Autori i dyshuar nuk ka shfaqur shenja pendese as në polici as në prokurori dhe mua më bën shumë përshtypje dhe më vjen tmerrësisht keq dhe më lë një pikëpyetje shumë të madhe që prindërit e djalit që kreu këtë akt kriminal nuk kanë dalë akoma që të kërkojmë falje, që me këtë rast ne të kuptojmë se çfarë niveli janë prindërit që është ky lloj fëmije”- tha Llabuti.
Më tej gazetari theksoi se është e domosdoshme që prindërit të dalin dhe të kërkojnë falje publike në mënyrë që të kuptohet se cili ka qenë shkaku i agresivitetit kaq të madh tek 14 vjeçari.
“Të paktën këta prindër duhet të dalin dhe të kërkojnë falje publike, dhe në disa fjalë që ata mund të thonë ne të kuptojmë thelbin, që kjo gjë është ngjizur nga familja, nga keqtrajtimi apo ka një situatë të vështirë në familje që ky djalë arriti deri në këtë pikë”- shtoi ai.
Mbrëmë, kryekomisari Asllan Shytja ngriti shqetësimin në një emision televiziv ku tha se ka rrezik që familjet e të miturve të futen në gjakmarrje. Versus.al








