
Personi që shihni në foto është 61-vjeçari Shkëlqim Krrashi, i arrestuar dje nga policia e Tiranës në zonën e Yzberishtit.
Sipas hetimeve, Krrashi kishte përshtatur banesën e tij si laborator droge, ku përpunoheshin lëndë narkotike të ndryshme, kryesisht kanabis dhe kokainë.
Burime bëjnë me dije se sasia e kanabisit dhe vajit të kanabisit sigurohej nga Maqedonia e Veriut, ndërsa kokaina ndahej në doza të gatshme për shitje.
Ndërkohë, kanabisi dhe vaji tregtoheshin me shumicë në Yzberisht.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi:
17 kilogramë kanabis në formën e çokollatës, të ndarë në 69 paketime,
22.5 litra vaj kanabisi (me vlerë të përbashkët rreth 500 mijë euro),
65 gramë kokainë,
një pistoletë dhe një armë gjahu.
Nga verifikimet rezulton se Shkëlqim Krrashi nuk kishte precedentë penalë të mëparshëm.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet pas disa muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Shape”.
Zbulohet në Yzberisht, një banesë e përshtatur për përgatitjen e lëndëve narkotike Kanabis dhe Kokainë, në trajta dhe forma të ndryshme, me qëllim shitjen.
Sekuestrohen nga banesa rreth 17 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Kanabis (çokollatë) dhe 22.5 litra vaj Kanabisi, të dyja me vlerë totale rreth 500 000 euro, një sasi Kokaine, 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu.
Arrestohet në flagrancë pronari i banesës.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për disa muaj, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Shape”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. K., 61 vjeç, banues në Yzberisht.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll në banesën e 61-vjeçarit, ku gjetën dhe sekuestruan rreth 17 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Kanabis (çokollatë), e ndarë në 69 paketime, 22.5 litra vaj Kanabisi (të dyja sasitë me rreth 500 000 euro), rreth 65 gramë lëndë të dyshuar narkotike Kokainë, 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas siguronte sasi të mëdha të Kanabisit dhe Kokainës, i përgatiste në trajta dhe forma të ndryshme dhe i shiste në Yzberisht.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Versus.al







