
Safet Bajri i cilësuar edhe si kreu i grupit kriminal “Bajri” është arrestuar mesditën e sotme nga Forcat Speciale në Shkodër me urdhër të Gjykatës së Posaçme.
Forcat RENEA kanë shkuar në banesën e tij për t’i komunikuar masën e arrestit dhe fillimisht është transportuar për në komisariatin e Shkodrës nga ku më pas iu komunikua se do të dërgohet në Tiranë ku do qëndrojë në paraburgim.
Avokatët e Bajrit kanë pohuar se klienti i tyre është ndaluar me qëllim për t’ju marrë analizat e ADN pasi dyshohet se ka gisht në vrasjen e Fatbardh Licit të ndodhur në 2018-ën në mes të Shkodrës.

Mësohet se urdhër arresti është lëshuar edhe për anëtarin tjetër të Bajrajve, Asmer Bilalin, ish-boksierin i cili është shpallur në kërkim nga SPAK edhe për ngjarje të tjera kriminale.

Vrasja e Fatbardh Licit
Asokohe 53 vjeç, Fatbardh Lici do të ishte viktima e radhës e përplasjes së ashpër mes fiseve Bajri e Lici që sapo kishte nisur dhe deri më tani numëron rreth 20 viktima.
Ngjarja ndodhi në lagjen Kiras të Shkodrës teksa Fatbardh Lici, xhaxhai i të shumëkërkuarit Ibrahim Lici, po pinte kafen në një lokal. Një makinë tip “Mercedez Benz” qëlloi me breshëri kallashnikovi drejt tij. Autorët dyshohet të kenë qenë 2 persona, ndërsa makina që përdorën u gjet e djegur në fshatin Dobraç.
Hetimet ndaj Bajrit po bëhen edhe për masakrën e Dobraçit të ndodhur në tetor të vitit të kaluar ku u vranë Hamza Lici e Arlind Bushati të cilët përplasën aksidentalisht çiftin e bashkëshortëve Bashkim dhe Flutura Basha. Në një dalje televizive në lidhje "skype" për emisionin Top Story pak ditë më parë, Safet Bajri mohoi të kishte lidhje me ngjarjen dhe tha se familja e tij po akuzohet padrejtësisht si "grup kriminal". Versus.al







