
Reshjet e dendura përmbytin Korçën: dëme të mëdha në Pogradec e Maliq, fshati Denas mbetet i izoluar
Reshjet e shumta të shiut që kanë goditur vendin gjatë 48 orëve të fundit kanë shkaktuar probleme serioze në qarkun e Korçës, veçanërisht në bashkitë Pogradec dhe Maliq, ku situata paraqitet e rënduar dhe dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Dëme të mëdha në Pogradec
Në Pogradec janë raportuar rreth 50 banesa të dëmtuara si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut. Dëmtime janë shënuar edhe në disa ura lidhëse dhe në unazën rrethuese të qytetit, ku reshjet kanë shkaktuar çarje të mëdha në rrugë.
Për shkak të rrezikut, 3 familje janë evakuuar dhe janë strehuar përkohësisht nga autoritetet vendore deri në stabilizimin e situatës.

Maliqi nën ujë
Në bashkinë Maliq, situata është po aq alarmante. Fushat bujqësore janë përmbytur tërësisht, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në të mbjella. Fusha e Maliqit tashmë i ngjan një liqeni të madh, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë punën për të forcuar argjinaturat e lumenjve Devoll dhe Dunavec.
Përmbytja është nxitur nga rritja e nivelit të lumit Devoll si dhe çarjet në disa pika të argjinaturës së lumit Dunavec, duke përkeqësuar më tej situatën.
Denas, fshati që kërkon ndihmë urgjente
Ndërkohë, banorët e fshatit Denas kanë bërë apel për ndihmë nëpërmjet rrjeteve sociale. Ata deklarojnë se prej një jave janë të izoluar, pasi mungesa e një ure lidhëse i ka lënë pa komunikim me fshatrat e tjerë.
E vetmja rrugë e improvizuar mbi lumë që përdorej nga banorët është tashmë e pakalueshme për shkak të prurjeve të mëdha të ujit, duke i lënë banorët në një situatë të vështirë dhe pa akses në shërbimet bazë.
