
Një rrëshqitje e madhe gurësh dhe dherash ka bllokuar plotësisht që prej orës 11:00 të paradites aksin kombëtar Librazhd–Qafë Thanë, në segmentin e njohur si Kthesa e Dragostunjës.
Masivi shkëmbor ka zënë të gjithë gjatësinë e rrugës, duke ndërprerë qarkullimin në të dyja drejtimet dhe duke shkaktuar radhë kilometrike që shkojnë deri në 10 kilometra.
Në mesin e mjeteve të bllokuara ndodhej edhe një autoambulancë që transportonte një grua të sëmurë drejt Spitalit të Elbasanit. Për shkak të bllokimit total, ajo është transportuar me barrelë përmes lumit për të kaluar në anën tjetër të rrugës, në një operacion emergjent që, sipas dëshmitarëve, është zhvilluar nën kushte të vështira.
Në vendngjarje po punojnë aktualisht ekipet e mirëmbajtjes së kompanisë “2T” si dhe mjete të firmës “ANK”, që po zhvillon punime për korridorin e 8-të. Prefekti i Elbasanit, Ilir Bejtja, deklaroi se rrëshqitja e dherave vijon ende nga kodra, duke e vështirësuar pastrimin e plotë të rrugës.
“Në terren janë katër eskavatorë dhe një fadromë që po përpiqen të hapin qarkullimin në njërën anë të aksit”, tha ai.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë se rrëshqitjet vijojnë ende, ndërsa fadromat e angazhuara po punojnë për të hapur të paktën një korsi kalimi, por terreni i paqëndrueshëm e bën ndërhyrjen të rrezikshme.
Policia Rrugore e Elbasanit dhe e Korçës u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin udhëtimin në këtë segment deri në një njoftim të dytë, duke i orientuar drejt rrugës alternative Moglicë–Gramsh–Cërrik.
Ndërkohë, shumë udhëtarë që kanë mbetur të bllokuar për disa orë kanë treguar vështirësitë që po përballen.
“Jemi me fëmijë të vegjël, në pritje prej më shumë se 4 orësh. Nuk kemi asnjë informacion,” tha një familjar nga vendi i ngjarjes.
Të tjerë gjithashtu kanë rrëfyer se i kanë shpëtuar për pak rrëshqitjes, duke treguar se njoftuar nga drejtues të tjerë të makinave vetëm pak minuta para shembjes së dheut.
Aktualisht, rruga Librazhd–Qafë Thanë mbetet e mbyllur, ndërsa autoritetet thonë se hapja e saj e pjesshme do të varet nga ndalimi i rrëshqitjeve të mëtejshme./Versus.al

