AKTUALITET /

Salillari u 6-fishon pagesën e traut shoferëve të Kukësit një ditë pas zgjedhjeve, dhjetëra prej tyre në protestë! Paralajmërojnë përshkallëzim! Institucionet heshtin!

Që prej 12 majit, taksistët e Kukësit thonë se nga 100 lekë që paguanin, tarifa e traut në Rrugën e Kombit u është rritur në 660 lekë.

Shkruar nga Versus
Salillari u 6-fishon pagesën e traut shoferëve të Kukësit
Fotomontazh: Drejtuesit e taksive në protestë tek "Rruga e Kombit" dhe biznesmeni Pëllumb Salillari

Ditën e sotme dhjetëra taksistë të qarkut të Kukësit kanë protestuar pranë trarit të vendosur në tunelin e Kalimshit lidhur me një padrejtësi që u bëhet për pagesën që duhet të japin.

Taksistët thonë për Versus.al në kushte anonimiteti se që prej datës 12 maj të këtij viti, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare tarifa për ta ka ndryshuar nga 100 lekë në 660 lekë, plot 560 lekë më shumë pa asnjë lloj shpjegimi për ta. Rritja e kësaj tarife prek edhe qytetarët që përdorin këtë shërbim pasi sjell automatikisht rritje të çmimit të biletës. Pavarësisht përpjekjeve të taksistëve për ta pasqyruar këtë situatë në media, nuk kanë gjetur mbështetje, për shkak të “hijes së rëndë” të kompanisë së biznesmenit Pëllumb Salillari, i cili pavarësisht shkeljeve dhe problemeve me ligjin duket se vijon t’ja hedhë ‘paq’ me veprimet e tij.



Arteria kryesore Milot-Morinë që lidh Shqipërinë me Kosovën e mbiquajtur gjithashtu si ‘Rruga e Kombit’ iu dha me koncesion nga qeveria shqiptare një konsorciumi kompanish shqiptare në vitin 2016. Kompania e krijuar për këtë qëllim quhet “Albanian Highëay Concession” dhe 50%  e aksioneve të saj zotërohen nga Salillari.

Ajo çfarë ngre dyshime lidhur me veprimet e kompanive të Pëllumb Salillarit është fakti se pavarësisht shkeljeve ku dyshohet se janë përfshirë, aktiviteti vijon të mbetet i njëjtë dhe si në rastin konkret ku prej rreth 2 muajsh tarifa e taksistëve në rrugën e Kombit është 550 lekë më e lartë, askush nuk e vë ujin në zjarr për këtë problem.

Problemet e Salillarit me drejtësinë

Në nëntor të vitit të kaluar gjykata e Tiranës kaloi në seancë gjyqësore dosjen në ngarkim të kompanisë së Pëllumb Salillarit për ndërtim të paligjshëm.  Sipas prokurorisë, hetimet konstatuan se firma “Salillari” kishte marrë leje nga Bashkia e Tiranës në vitin 2020 për të ndërtuar një godinë me 6 kate mbi tokë, përveç parkimit.

Por, ajo që rezultoi nga kontrolli në terren i autoriteteve dy vite më pas, ishte se ndërtesa kishte një kat shtesë me rreth 2.500 m2 pa leje dhe vlerë deri në 3.5 mln euro.

Salillari u 6-fishon pagesën e traut shoferëve të Kukësit
Ndërtimi pa leje i Salillarit

Një tjetër skandal ku rezulton e përfshirë kompania e Salillarit është edhe Rruga e Borshit me një investim prej 13.7 milionë eurosh, e cila u shemb pas reshjeve të shiut. Për këtë kontratë u shpall fitues një konsorcium i përbërë nga kompania Elicatechnical Commerce Societa dhe kompania Salillari sh.p.k të cilët kishin për detyrë mirëmbajtjen e rrugës.

Salillari u 6-fishon pagesën e traut shoferëve të Kukësit
Rruga e Borshit

Pavarësisht se vetëm 6 muaj pas rikonstruksionit, rruga u shemb duke shkaktuar bllokimin për 6 muaj të rrugës kryesor Vlorë-Sarandë duke qenë se segmenti i Borshit ishte pjesë e saj. Për ngjarjen e ndodhur në janar të 2021-it KLSH urdhëroi verifikime të menjëhershme, por mesa duket sërish nuk ka patur masa konkrete ndaj kompanisë së Sallillarit që shkaktoi dëm prej 1.6 mln eurosh si pasojë e shembjes së rrugës pas disa reshjesh shiu.

Dosjet në ngarkim të kompanisë së Salillarit duket se mbeten “arkivave”, ndërsa ankesat e qytetarëve vijojnë lidhur me rrugët e marra me koncesion nga kjo kompani. Versus.al

Poll