
Pas pretencës së dhënë për të pandehurit e inceneratorit të Tiranës, ka vijuar këtë të premte seanca për mbrojtjen e zyrtarëve, ku ka paraqitur kundërshtimet e tij Taulant Tushe. Ai nuk mori pjesë në seancë, por kishte firmosur një deklaratë që e lexoi mbrojtja e tij. Ndërkohë, gjatë kundërshtimeve, avokati i Taulant Tushes, Ermal Yzeiraj, tha se klienti i tij, nuk ka bashkëpunuar me koncesionarët apo zyrtarë të tjerë për të favorizuar propozuesit.
Ermal Yzeiraj, avokat i Taulant Tushës: Taulant Tushe nuk ka komunikuar me asnjë nga personat që kanë fituar koncesionin, zero komunikime, zero emaile, e pranon edhe prokurori edhe gjykata. Kjo tregon se ka zero provë për ekzistencën e bashkëpunimit të Tushes me persona të lidhur me koncesionarin, apo anëtarë të komisionit. Nuk është e vërtetë ajo që thotë SPAK, se Tusha ka qenë pasiv në komision, ka fakte se përkundrazi, ka mbrojtur interesat e ligjshme të shtetit.
Rezulton që nga 10% të totalit të pikëve, propozuesit i jepen 8%. Personi që ka propozuar 6 pikë ka qenë Taulant Tusha. Për edhe 8% nuk është favorizim i koncesionarit sepse askush nuk ndalonte askënd të jepte 10%. Tusha dha 6%, kjo është arsyeja që u la mesatarja 8%. Kur u diskutua draft-kontrata, koncesionari kërkoi të ndryshonte kontrata, mbi çmimin për ton. Nuk u pranua, kontrata fiksoi çmimin 29, euro për ton, që pavarësisht se sa investon ti, unë prap 29 e dua. 120 milion euro investim, kur u dha leja, që ishte llogaritur kjo 29 euro për ton, kur nisi ndërtimi vajti 140 milion, por nuk ndryshoi vlera 29 euro për ton, tregon se u mbrojtën interesat e shtetit.
Realisht me 29 euro për ton, fitimi i binte 24 milion euro. Kjo anomali, 120-tshja, nuk u zhduk kurrë nga fizibiliteti. Komisioni nuk e lëvizi, ngeli si bisht, askush nuk sqaroi komisionin se çfarë ndodh këtu. Komisioni mbajti qëndrim parimor. Nëse do kishin bashkëpunim, veprimtaria e komisionit nuk do zgjaste kaq shumë sa zgjati. Studimi i fizibilitetit 7 muaj e tre ditë. Nëse do kishte bashkëpunim nuk kishte arsye të zgjaste veprimtaria e komisionit kaq shumë për rreth 1 vit në total.
Pjesë nga letra e Tushes nga paraburgimi i Fierit:
Mua më kanë burgosur pa gjyq. Në lidhje me procesin e mbetjeve, unë por edhe Bashkia Tiranë jemi përpjekur të bënim më të mirën. Për këtë koncesion nuk pati asnjë ankesë në Agjencinë e Prokurimeve Publike. Ne si Bashki për aq sa na takoi bëmë detyrën tonë. Me këtë standart që keni vedosur ju edhe punonjës të tjerë të administratës, mund të ndihen të rrezikuar dhe frikësuar. Kërkoj të shpallem i pafajshëm”.
Letra u lexua nga avokatët e tij mbrojtës të cilët pretenduan përpara gjyqtares Elsa Ulliri se prokurori Dritan Prençi, ka ngritur një fabul të pavërtetë që sipas tyre, zyrtarët e Bashkisë Tiranë dhe të Ministrisë së Mjedisit kishin rënë dakord paraprakisht dhe më herët se do nisnin procedurat për koncesionin.
Për Taulant Tushen, ish drejtor në Bashkinë Tiranë, SPAK ka kërkuar dënimin me 4 vite burg që në aplikim të gjykimit të shkurtuar zbret në 2 vite e 8 muaj burg në rast se gjendet fajtor./Versus.al








