AKTUALITET /

Shirat shuajnë vatrat e zjarrit në Vlorë e Fushë-Arrëz, arrestohet zjarrvënësi në Selenicë

Autoritetet theksuan se “tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme për zjarrvënie të qëllimshme, të kryera nga një grup i organizuar kriminal, i cili ka zgjedhur të veprojë gjatë natës kur ndërhyrja nga ajri është e pamundur.

Shkruar nga Versus

Shirat shuajnë vatrat e zjarrit në Vlorë e Fushë-Arrëz,

Gjatë natës, reshjet e dendura të shiut ndihmuan në shuarjen e disa vatrave zjarri në qarkun e Vlorës, të cilat, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, dyshohet se janë ndezur nga një grup i strukturuar kriminal.

Flakët janë fikur plotësisht në fshatrat Vajzë dhe Drashovicë të bashkisë Selenicë, ndërsa një vatër e vogël që vijon ende në Mavrov raportohet se është drejt shuarjes.

Në përditësimin e së enjtes mbrëma, autoritetet theksuan se “tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme për zjarrvënie të qëllimshme, të kryera nga një grup i organizuar kriminal, i cili ka zgjedhur të veprojë gjatë natës kur ndërhyrja nga ajri është e pamundur”.

Edhe në bashkinë e Fushë-Arrëzit situata është vënë nën kontroll, ku u shuan vatrat në Lumin e Trunit, Kulumri dhe pyjet e Kryeziut, të cilat kishin qenë problematike gjatë pasdites së së enjtes. Nga zjarret, në ekonominë pyjore Sakat – Laku i Hithit u dogjën 60 hektarë pyje, ndërsa u prekën rreth 130 hektarë të tjerë. Në zonën e Kryeziut u shkrumbuan afro 7 hektarë me pisha.

Ndërkohë, në Selenicë u arrestua 43-vjeçari Elvis Bylyshi, i cili kishte ndezur zjarr qëllimisht pas një konflikti me bashkëfshatarin e tij, duke djegur një sipërfaqe me ullinj dhe duke rrezikuar bagëtitë e imta./Versus.al

Poll