
Reshje rekord, lumenj të fryrë dhe mijëra banesa të depërtuara nga uji ky është bilanci i parë i një situate që ka goditur rëndë vendin për katër ditë me radhë. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, nga qendra lëvizëse e Emergjencave Civile, solli pnjë panoramë të errët të dëmeve, duke nënvizuar se përmasat e kësaj ngjarjeje janë të jashtëzakonshme. Por mes gjithë pasojave të rënda, ai theksoi se një katastrofë e vërtetë është shmangur në minutat e fundit: ajo që mund të kishte ndodhur në Shkodër.
Sipas ministrit, fronti meteorologjik ka sjellë reshje të pandërprera, me intensitet që ka tejkaluar çdo parashikim, duke goditur rëndë veçanërisht ultësirën perëndimore dhe zonat pranë lumenjve. Ai tha: “Deri më sot zonat më të prekura janë qarqet e Lezhës, Dibrës, Fierit, Beratit, Korçës, Gjirokastrës dhe Vlorës. Strategjia jonë u bazua në paralajmërim, parandalim dhe mbështetje të banorëve të bashkive më të prekura. Nga ana tjetër, menaxhimi i kaskadës së Drinit pavarësisht prurjeve të mëdha anësore, evitoi atë që potencialisht mund të ishte kthyer në një katastrofë në zonën e Shkodrës”.

Pikërisht ky menaxhim, nën presionin e prurjeve të jashtëzakonshme, ka shmangur një skenar fatkeqësie që mund të kishte prekur mijëra familje në veri. Ndërsa Shkodra i shpëtoi më të keqes, qarqe të tjera janë përballur me dëme të thella.
Ministri bëri të ditur se, megjithëse nuk ka pasur evakuime masive, dhjetëra familje janë zhvendosur përkohësisht nga zonat me rrezik të lartë.
“Fillimisht në bashkitë Lezhë dhe Kurbin dhe më tej në Vlorë dhe Korçë me 52 familje të evakuara në Vlorë dhe 18 familje të evakuuar në Qarkun e Korçës”, deklaroi ai.
Panorama e dëmeve në banesa është shqetësuese: rreth 1000 shtëpi janë përmbytur në përmasa të ndryshme.
Siç raportoi Vengu: “Sa i përket banesave, sipas raportimeve kemi padyshim banesa të cilat janë depërtuar nga uji në masa të ndryshme kryesisht në Qarkun e Korçës me 300 banesa, në Fier 25 banesa, në Lezhë 600 banesa dhe në Vlorë 52 prej tyre”.

Ndërkohë, kreu i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Haki Çako, konfirmoi se shumica e familjeve të evakuuara janë tashmë rikthyer në shtëpi, menjëherë sapo kushtet e sigurisë janë krijuar.
“Një pjesë e konsiderueshme e tyre, atje ku janë krijuar kushtet optimale për t’u kthyer na banesa, janë kthyer në banesa dhe po merren me pastrimin dhe sistemin e banesave. Pjesa tjetër do të kthehet pasi të krijohen kushtet”, tha ai.
Ndërsa dëmet në jug dhe qendër janë të mëdha dhe pasojat do të ndihen gjatë, autoritetet e konsiderojnë të paktën një fitore të rëndësishme faktin që Shkodra i shpëtoi një nga përmbytjet më të rënda që mund të kishte përjetuar në dekada.
