
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë nëpërmjet një deklarate ka dalë në mbrojtje të gjyqtarit të Kushtetueses, Asim Vokshi për të cilin ka patur së fundmi pretendime se është fshehur fakti se ai ka qenë ish-agjent i Shërbimit Sekret.
Në reagim thuhet se publikimet mediatike kanë kaluar kufijtë e kritikës dhe janë shndërruar në sulme e denigrime personale që cënojnë drejtëpërdrejt reputacionin e magjistratit.
“Liria e medias është themelore në një shoqëri demokratike, por ajo duhet të ushtrohet me përgjegjësi, etikë dhe respekt ndaj së vërtetës. Media nuk duhet të shndërrohet në mjet presioni apo në instrument për denigrimin e figurës së magjistratëve,” thuhet mes të tjerash në reagim.
Ndërkohë sot në Gjykatën Kushtetuese shqyrtohet kërkesa e Naureda Llagamit për kërkesën e saj për rrëzimin e votimit në të cilin Asim Vokshi u zgjodh anëtar i Kushtetueses.
DEKLARATA
SHOQATA KOMBËTARE E GJYQTARËVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbrojtje të integritetit dhe dinjitetit të magjistratit
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të thellë deklarimet dhe publikimet e fundit në media vizive, të shkruara dhe elektronike, që kanë pasur në fokus kandidimin e magjistratit z.Asim Vokshi në pozicionin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese.
Këto publikime kanë marrë formën e sulmeve personale, të cilat kanë tejkaluar kufijtë e kritikës së lejueshme dhe janë shndërruar në denigrime që cënojnë drejtpërdrejt dinjitetin, reputacionin dhe integritetin institucional të magjistratit.
Shoqata vlerëson rolin themelor që ushtron media në një shoqëri demokratike, si garantuese e transparencës dhe përgjegjshmërisë publike. Liria e shprehjes dhe shpërndarjes së informacionit, të parashikuara në nenin 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe nenet 22 e 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përbëjnë baza të pandashme të shtetit të së drejtës. Megjithatë, ushtrimi i këtyre lirive duhet të bëhet në mënyrë të përgjegjshme, etike dhe në respekt të së vërtetës, në mënyrë që media të mos shndërrohet në mjet presioni apo në instrument për cënimin dhe denigrimin e figurës së magjistratëve.
Shoqata thekson se liria e medias nuk mund të përdoret për të justifikuar presione publike, nxitje, përbuzjeje apo cenim të dinjitetit njerëzor dhe institucional të magjistratit, sidomos në procese të tilla kandidimi me rëndësi dhe ndikim të madh në publik.
Denigrimet personale dhe përpjekjet mediatike për delegjitimim të proceseve të kandidimit të magjistratëve bien ndesh me standardet profesionale të gazetarisë, parimet e etikës publike dhe detyrimin për respektimin e dinjitetit njerëzor që burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Kalimi i këtyre kufijve përbën abuzim me të drejtat e garantuara dhe cënon besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, për të cilin magjistratët me punën e tyre të përditshme luftojnë ta fitojnë.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve të medias televizive, të shkruar dhe elektronike që, në ushtrimin e profesionit të tyre, të udhëhiqen nga parimet e mirëbesimit, etika profesionale dhe deontologjia gazetareske.
Ritheksojme se respektimi i dinjitetit të magjistratëve është kusht themelor për ushtrimin e pavarur të pushtetit gjyqësor dhe për ruajtjen dhe forcimin e besimit të publikut në drejtësi.
Ky qëndrim publik nuk duhet interpretuar si tentativë për krijimin e mureve komunikimi apo kufizim të bashkëpunimit me median. Përkundrazi, Shoqata rithekson gatishmërinë për dialog dhe bashkëpunim ndërinstitucional, në funksion të një komunikimi të ndershëm dhe profesional që reflekton rolin dhe përgjegjësinë e gjyqësorit në mbrojtje të shtetit të së drejtës dhe të parimeve të demokracisë.
Tiranë, më 10 nëntor 2025
Në emër të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë
Z.Engert Pëllumbi
Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. Versus.al

