
Sot në orën 12:00 në Gjykatën e Posaçme do të zhvillohet seanca ku pritet të vendoset nëse dosja në ngarkim të kryebashkiakut Erion Veliaj do të kalojë apo jo për gjykim. Kujtojmë që 7 ditë më parë, gjyqtarja e posaçme Etleva Deda përfundoi shqyrtimin gjyqësor të dosjes dhe vendosi datën 9 shkurt për të shpallur vendimin.
Gjatë seancës së kaluar, Veliaj dhe avokatja e tij Valentina Teodoresku kërkuan shtyrje të seancës paraprake me argumentimin se ende nuk janë njohur me dosjen hetimore pavarësisht se Veliaj prej një viti është i paraburgosur. Megjithatë kjo kërkesë u rrëzua duke bërë që Veliaj të kërkonte më pas përjashtimin e Dedës si gjyqtare me pretendimin se po i mohonte të drejtat. Kryebashkiaku u largua nga seanca, ndërsa Deda vijoi më tej duke e cilësuar si të ezauruar fazën e mbrojtjes. Versus.al


