
Është shtyrë për në datë 2 korrik në orën 08:30 seanca në ngarkim të ish-kryebashkiakut të arrestuar të Himarës, Jorgo Goro i cili akuzohet për shpërdorim detyre më shumë se një herë, kryer në bashkëpunim.
Në seancën që do të mbahet, pritet që SPAK të japë pretencën për dënimin e ish-kreut të bashkisë së jugut, mbrojtja e të cilit ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Duke qenë se kërkesa është pranuar, në rast se shpallet fajtor Goro do të përfitojë ulje të 1/3-ës së dënimit. Më herët ai u dënua me 2 vite burg për tjetërsimin e pronave në një rast ku është i përfshirë edhe Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste Olta Xhaçka.
Ish-kryebashkiaku i Himarës, u kallëzua nga Fredi Beleri me pretendimin se i ka dhuruar në vitin 2016 pasuesit të tij të komanduar në krye të Bashkisë, Arqile Bollanos, 4263 metra sipërfaqe tokë. Të pandehur në këtë dosje janë marrë dhe Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë dhe Jerasimo Bashi, ish-Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë. Versus.al







