Një operacion i gjerë është duke u zhvilluar në qytetin e Elbasanit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, nën drejtimin e prokurorëve Altin Dumani dhe Vladimir Mara. Veprimet janë ndërmarrë pas miratimit nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke përfshirë kontrolle në disa biznese dhe banesa të zyrtarëve lokalë, të dyshuar për lidhje me organizatën kriminale të drejtuar nga Suel Çela.
Burime nga SPAK bëjnë të ditur se janë ekzekutuar të gjitha urdhrat e kontrollit në destinacionet e miratuara nga gjykata, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës për selektivitet apo ndërhyrje politike në proces.
Në fokus të këtij operacioni janë ndër të tjera:
• Nazif Bajrami, një biznesmen i njohur në sektorin e ndërtimit në Elbasan
• Mariglen Çoku, administrator i ekipit të futbollit të Elbasanit
• Luan Tabaku, drejtor i UKK Elbasan
Nga informacionet e mbledhura përmes platformës së komunikimeve të enkriptuara SkyECC, janë identifikuar dyshime për përfshirjen e këtyre individëve në veprimtari kriminale në bashkëpunim me grupin e Suel Çelës. Janë kontrolluar gjithsej katër banesa dhe një zyrë, përfshirë edhe sekuestrimin e dokumenteve, shumave monetare dhe sendeve të tjera me rëndësi për hetimin.
SPAK konfirmon se nuk ka pasur urdhër kontrolli për banesën e Suel Çelës në këtë fazë të operacionit. Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë më shumë informacion mbi të dhënat e mbledhura dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren nga autoritetet. /Versus.al/








