AKTUALITET /

Skandali i AKSHI-t, zbulohet në Durrës jahti luksoz i biznesmenit Beqiraj! E fshihte nën emrin e punonjëses

Shkruar nga Versus
Skandali i AKSHI-t, zbulohet në Durrës jahti luksoz i biznesmenit
Një jaht Predator 50 Skyfall dhe biznesmeni Ermal Beqiraj

Ermal Beqiraj, biznesmeni i shpallur në kërkim nga SPAK për çështjen e AKSHI-t, rezulton që së bashku me Ergys Agasin të jetë në krye të grupit kriminal që drejtonte skemën e përfitimit të tenderave nga institucioni shtetëror.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar edhe jahtin luksoz në pronësi të Ermal Beqirajt. Jahti është i markës ‘Predator 50 Skyfall, vlera e të cilit në treg shkon mbi 950 mijë euro. Agjentët e BKH e kanë gjetur mjetin luksoz të ankoruar në Portin e Durrësit.

Në dosje hetimore thuhet se Beqiraj e ka vendosur këtë jaht në pronësi të Xhenila Tamizit, e cila rezulton të jetë e punësuar në kompaninë e tij “Soft & Solutions”. Në dosje Tamizi rezulton të ketë qenë personi që rekrutonte edhe stafin për kompaninë e Beqirit dhe më pas i transferonte tek kompania e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur po ashtu në kërkim.

“Në vijim, me qëllim verifikimin e të dhënave te konstatuara, te cilat rezultuan nga ushtrimi i këtij  kontrolli, është proceduar me marrjen në pyetje të disa punonjësve te shoqërisë "EA Solution" sh.p.k. Këta shtetas në tërësi kanë deklaruar se njoftimet për punë i kanë parë në internet, trajnimet e tyre i ka bërë shtetasja Xhenila Tamizi. Nga aktet kjo shtetase rezulton të jetë e punësuar në shoqërine "Soft & Solutions" sh.p.k., madje në emër te saj rezulton edhe sendi i blerë nga Ermal Beqiri, mjeti lundrues Predator 50 Skyfall (jaht). Pasi janë trajnuar, punonjësit bëjnë me dije se kontratat janë lidhur me një shoqëri tjetër, të ndryshme nga "Soft & Solutions", konkretisht me shoqërinë "EA Solutions", thuhet në dosjen e SPAK.

Beqiraj dhe Agasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar pengmarrjen e biznesmenit Gerond Meçe për t’i bërë presion këtij të fundit që të tërhiqej nga gara për tenderat e AKSHI-t dhe nga ankimimi i disa prej projekteve të tenderuara. Pjesë e këtij grupi kriminal dyshohet të jetë edhe Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e AKSHI-t e cila është vënë nën arrest shtëpie. Versus.al

Poll