AKTUALITET /

"S'mbaj përgjegjësi për to", Meta distancohet nga shpenzimet e Kryemadhit dhe ish-vjehrrës: Merrej Monika

Sipas ish-presidentit, ka qenë vetë Monika Kryemadhi që merrej me çdo lloj shpenzimi dhe për këtë argumentoi se nuk mund t'i shtohet atij si vepër penale diçka për të cilën nuk ka pasur dijeni.

Shkruar nga Versus
"S'mbaj përgjegjësi për to", Meta distancohet nga
Ilir Meta, Fatime dhe Monika Kryemadhi

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë seancës në Apelin e Gjykatës së Posaçme ku kërkon të lirohet nga qelia, ka mohuar akuzat ndaj tij duke argumentuar se sa i takon shpenzimeve të padeklaruara, nuk mund  të mbajë përgjegjësi për çdo pagesë të bërë nga ish-gruaja apo ish-vjehrra e tij.

Ai tha se shumica e shpenzimeve dhe veprimeve bankare janë kryer nga ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi.

“Së pari, nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për çdo shpenzim apo pakësim llogarish të familjarëve të mi apo edhe të ish-gruas dhe ish-vjehrrës time. Së dyti, siç e kam shpjeguar në SPAK me plotësimin e formularëve të pasurisë merrej ish-bashkëshortja ime, e cila i ndiqte edhe me avokat edhe me noter të gjitha veprimet, edhe për arsyen se shumica e pronave dhe rrjedhimisht llogarive bankare ishin të saj dhe i ndiqte ajo”- mësohet të jetë shprehur Meta gjatë mbrojtjes së tij në gjykatë.

Duke e cilësuar hetimin e SPAK si ‘skandaloz’ Meta risolli në kujtesë mënyrën e arrestimit të tij duke pretenduar se u rrëmbye në mënyrë banditeske pa iu dhënë mundësia të kontaktonte avokatin e tij.

“Ky hetim skandaloz i sponsorizuar nga Qeveria dhe McGonigalët, i bazuar në mashtrime, manipulime dhe njëanshmëri ekstreme, i konkluduar me një rrëmbim banditesk, siç e kanë parë të gjithë nga banditë me maska, që hyjnë dhunshëm në makinë me armatim të rëndë, që nuk identifikohen, që nuk japin asnjë shkresë apo akt zyrtar, që nuk të lejojnë të kontaktosh avokatin, që nuk të njohin me të drejtat e tua dhe që dhunshëm të fusin në një makinë private për të të çuar në Drejtorinë e Policisë, ku vetëm pas dy orësh vijnë oficerët e Policisë Gjyqësore, duhet të marrë fund”- tha mes të tjerash kreu i PL në mbrojtje të tij. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: